Kosova

Hapet pikëkalimi kufitar në Jarinjë


Pikëkalimi kufitar në Jarinjë është hapur të mërkurën në orën 08:30 pasi ishte mbyllur më 24 shtator pas sulmit terrorist ndaj Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar për Albanian Post, zëvendësdrejtori i Policisë në veri të Mitrovicës, Veton Elshani.

“Është hapur sot pas orës 08:30, ishte mbyllur më 24 shtator pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit”, tha Elashani.

Ndërsa pikëkalimi kufitar në Bërnjak veçse është hapur për hyrje dhe dalje më 4 tetor.

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore