Lajme

Hamza thotë se Kurti e pranoi “ofertën më të varfër” për Asociacionin


Bedri Hamza

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Bedri Hamza, në një intervistë për radio-televizionin “Dukagjini” të enjten, deklaroi se kreu i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, degradoi pozicionin e Kosovës në procesin e dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Duke komentuar mbi draft-statutin e propozuar nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ai tha se kjo është “oferta më e varfër” që i servohet Kosovës në tavolinën e dialogut, derisa shtoi se duhet të ndryshohet medoemos përmbajtja aktuale.

Ai veçoi përfshirjen e rezolutës 12/44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) në preambulën e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa shtoi se propozimi evropian nuk e mori fare për bazë as aktgjykimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Hamza konsideroi se si rezultat i zhvillimeve të fundit në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, njohja reciproke u hoq nga tavolina. Gjithashtu, ai përmendi sfidat aktuale të Kosovës në skenën ndërkombëtare, duke përmendur edhe sanksionet e Bashkimit Evropian (BE) ndaj vendit.

Kandidati i PDK-së për kryeministër foli edhe për zgjedhjet e reja në katër komunat veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq – duke shprehur shqetësimin se mënyra se si do të shkohet drejt zgjedhjeve në veri mund të shkaktojë precedent të rrezikshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore