Kosova

Guvernatori i BQK-së: Ekonomia e Kosovës duhet të orientohet në prodhim


Fehmi Mehmeti

Deficiti tregtar dhe inflacioni i lartë, sipas Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, kanë dikuar negativisht në aktivitetin ekonomik të Kosovës.

Përderisa norma e inflacionit, sipas tij, pritet të bjerë në pjesën e dytë të vitit 2023, Mehmeti thotë se duhet të punohet më shumë që struktura e ekonomisë të ndërrohet në favor të ndërmarrjeve prodhuese.

“Pritjet tona janë që në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2023, të kemi ulje të inflacionit deri në masën 6 për qind. Kjo, në masë të madhe, do ta ndikojë aftësinë paguese të qytetarëve, që më pas do të ndikojë edhe në rritjen e konsumit si komponent kryesor i rritjes ekonomike në vend”, ka thënë ai në një intervistë për Radio Evropën e Lirë.

Sipas vlerësimeve të BQK-së, Mehmeti thotë se rritja ekonomike e Kosovës gjatë vitit 2023 pritet të jetë 3 deri në 4 për qind.

“Kjo, kryesisht për shkak të tkurrjes së kërkesave të brendshme dhe rritjes së importeve”, ka shtuar më tej ai.

“Bazuar në të dhënat e regjistruara deri në muajin shtator të vitit 2022, shpenzimet jorezidente në Kosovë – pjesa më e madhe e të cilave vjen nga diaspora – ishin më shumë se 1.48 miliard euro. Kjo shumë paraqet një rritje vjetore prej 26 për qind, nëse krahasohet me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Po ashtu, viti 2022 shënoi një ritëm të shpejtë të remitencave. Vlera e tyre arriti mbi një miliard euro – ose rritje vjetore prej 5.5 për qind”.

Deficiti tregtar, shton më tej Mehmeti, është një prej faktorëve që ndikon negativisht në rritjen ekonomike, prandaj ai propozon ndërrim të strukturës së ekonomisë së vendit.

“Përderisa ekonomia jonë dominohet nga ndërmarrjet tregtare, duhet të punohet më shumë në drejtim të asaj që të ndërrohet struktura e ekonomisë në favor të ndërmarrjeve prodhuese”.

Kosova është shteti i vetëm në rajon, i cili nuk ka rezerva të arit dhe metaleve të tjera të çmuara, megjithatë sipas Mehmetit mundësia ekziston që Kosova të fillojë të grumbullojë rezervat në fjalë.

“Janë vendime, të cilat duhet të bëhen në të ardhmen në koordinim me Qeverinë. Ne, si BQK, mundësitë i kemi, jemi të gatshëm, kemi kapacitet. Vendin ku ta ruajmë, e kemi. Nga këndi ynë, si BQK, jemi të gatshëm për të bërë një [rezervë] të tillë, por këto janë vendime që duhet të merren edhe nga Qeveria”.

Borxhi i përgjithshëm i Kosovës ka arritur në 1.6 miliardë euro, mirëpo sipas Guvernatorit të BQK-së një gjë e tillë nuk duhet parë si rrezik.

“Ne jemi shumë ulët sa i përket përqindjes së borxhit; deri në 40 për qind e bruto produktit vendor, në bazë të ligjit, lejohet të jetë borxhi. Por, unë them kësisoj, asnjëherë borxhi publik nuk është i lartë përderisa i dedikohet vlerës së shtuar ekonomike. Borxhi gjithmonë është i lartë, në rast se dedikohet në një vend, ku nuk ka vlerë të shtuar për ekonominë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore