Lajme

Guerot: Kurti e pranoi se draft-statuti i Asociacionit është i mirë, s’propozoi që përmbajta t’i ndryshohet


Olivier Guerot

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është i mendimit se draft-statuti modern evropian për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është i mirë dhe ai është i gatshëm që ta pranojë ashtu siç është, si pjesë e pakos, ka thënë ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot.

Diplomati francez shtoi se Kurti nuk ka propozuar asnjë ndryshim të përmbajtjes së këtij draft-statuti të përpiluar nga BE-ja muaj më parë.

“Jo vetëm që unë mendoj që është një draft i mirë, mendoj se edhe qeveria pajtohet me këtë konstatim, sepse edhe kryeministri është shprehur i gatshëm ta pranojë nëse është brenda pakos. Ai nuk ka propozuar ndonjë ndryshim. Nuk mendoj se drafti është i keq, ky dokument nuk jep fuqi shtesë komunave”, ka thënë ai në një intervistë për RTV Dukagjinin.

Në anën tjetër ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka potencuar se krijimi i Asociacionit është obligim shtetëror i Kosovës dhe si i tillë duhet impelemntuar.

“Kosova dhe Serbia janë dakorduar që të implementojnë Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit, kjo është mënyra për të arritur normalizimin. Gjithmonë thuhet se Asociacioni nuk është në përputhje me Kushtetutën, por këtë duhet ta dëshmojmë”.

Ambasadori i Francës sërish kritika Qeverisë Kurti, sërish për dinarin

Për ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot, është e qartë se Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë dhe të gjejë mënyra se si gjërat që propozojnë të mos ndikojnë në çështjet të cilat dikojnë në jetët e përditshme të qytetarëve, sidomos kur është fjala për pensionet, pagat e transferet e parave.

Meqë një gjë e tillë, sipas tij, nuk bëhet në një vend demokratik.

“Qeveria e Kosovës sikurse qeveritë demokratike kanë fuqinë për të bërë klauzola, kur gjërat janë të ndaluara, një qeveri demokratike duhet të kërkojë dhe të gjejë mënyra se si gjërat të cilat propozojnë nuk ndalojnë gjërat tjera, si transferet”, ka thënë ai në një intervistë për RTV Dukagjinin.

Duke iu referuar rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nëpërmjet së cilës është ndaluar përdorimi i dinarit serb në territorin kosovar, Guerot tha se duhet gjetur një mënyrë me serbët për këtë çështje pasi “fjala është për parat e serbëve”.

“Kanali i duhur është që të dialogohet, kjo është mënyra se si duhet të ballafaqohemi me realitetin”.

Guerot gjatë intervistës sërish ka bërë thirrje për shtyrje të vendimit për zbatim e rregullores së BQK-së e cila përcakton euron si monedhë të vetme për pagesat me para të gatshme në Kosovë deri sa të adresohet shqetësimi i serbëve.

“Kërkesa jonë që e kemi bërë, ne dhe vendet e QUINT-it është që të bëhet një tranzicion para se të implementohet kjo rregullore, duhet të ketë më shumë konsultime dhe informata para se të implementohet. Ne bëjmë thirrje për pezullimin e kësaj rregullore për hir të informimit të duhur të popullatës, dhe mundësinë e gjetjes së zgjidhjeve së mundshme teknike”, ka deklaruar Guerot.

Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) akuzuan Qeverinë e Kosovës se nëpërmjet “lëvizjeve të njëanshme” është duke nxitur “tensione të panevojshme” në pjesën veriore të vendit të banuar me serbë etnikë, ndërsa kërkoi shtyrjen e zbatimit të rregullores së BQK-së nën arsyetimin se mund të ketë ndikim negativ te komuniteti serb në Kosovë.

Megjithë thirrjet e SHBA-së dhe BE-së ndaj Qeverisë së Kosovës që të ndryshojë kursin, kreu i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, nuk u lëkund nga pozicioni për ndalimin e qarkullimit dhe përdorimit të dinarit serb nën argumentin e shtrirjes së “ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë” në çdo cep të territorit, përfshirë veriun e trazuar të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore