Lajme

Gruaja 35-vjeçe humbi jetën tek stomatologu, ministria e pranon se “aty po zhvillohej veprimtari ilegale”


Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pas rastit të vdekjes së një gruaje 35 vjeçe me inicialet L.SH, e cila ndërroi jetë pas shërbimeve stomatologjike në Institucionin Privat Shëndetësor “Doktorat”.

Përmes një statusi të publikuar në faqen zyrtare të MSH-së në Facebook, ky dikaster ka bërë të ditur se nëpërmjet Inspektoriatit Shëndetësor, kanë marrë veprimet e duhura përshtatur kompetencave pas rastit tragjik – të gjitha në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

Trajtimin e stafit mjekësor, MSH e ka cilësuar si “veprimtari ilegale”, ndërsa u zotuan se do të sigurojnë provat për dënime maksimale ndaj personave që qëndrojnë pas këtij akti.

“Ministria e Shëndetësisë përmes Inspektoratit Shëndetësor, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, menjëherë ka ndërmarrë të gjitha veprimet konform kompetencave pas rastit tragjik që rezultoi me fatalitet për një qytetare”, u tha në statusin e publikuar.

“Një ngjarje e tillë, në rrethana kur një qytetare humb jetën pas marrjes së shërbimeve stomatologjike në Institucionin Privat Shëndetësor “Doktorat” të cilët kanë ushtruar veprimtari ilegale, është e patolerueshme dhe do të angazhohemi që të ofrojmë të gjitha provat për dënime maksimale ndaj kryersve të kësaj vepre të rëndë”, u tha tutje.

Kjo ministri njoftoi edhe procesin e shqyrtimit mbi raportet e komisionit të licencimit lidhur me mbarëvajtjen e punës në këtë institucion privat.

“Njëkohësisht, Ministria e Shëndetësisë njofton se janë shqyrtuar edhe raportet e komisionit të licencimit lidhur me veprimtarinë e këtij institucioni privat. Të gjitha këto të dhëna janë në dispozicion të Policisë së Kosovës dhe Odës së Stomatologëve të Kosovës si organe kompetente në funksion të zbardhjes së plotë të rastit, me qëllim që autorët e kësaj vepre të rëndë të marrin dënimin e merituar”, përfundoi statusi.

Përndryshe, gruaja e ndjerë ishte me origjinë nga fshati Ngucat i Malishevës, por jetonte në Itali, derisa pas vetes la, burrin dhe katër fëmijët e tyre.

Ajo ndodhej për pushim në Kosovë, dhe për shkak të dhimbjeve të vazhdueshme të dhëmbit, e ndjera kërkoi ndihmë mjekësore nga institucioni privat në fjalë, që dyshohet se i solli asaj vdekjen, si pasojë e shërbimit jokorrekt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore