Shqipëria

Greva, akti ‘final’ i protestës së pedagogëve


Njerëzit ndonjëherë i shkaktojnë vuajtje vetes – si një akt proteste politike.

Ata mund të marshojnë në distanca të gjata, mund të shkojnë me dëshirë në burg.

Ndoshta mund të mirëpresin ose provokojnë goditjet e policisë, mund të refuzojnë të hanë dhe madje mund të vetëvriten.

Veprime të tilla, të cilat studiuesit i quajnë ‘vuajtje komunikative’, janë lënë pas dore nga shkencëtarët socialë.

Analizat sistematike të ngjarjeve të protestës janë fokusuar në taktika si greva dhe demonstrata.

Vuajtja në komunikim mund të jetë më pak e zakonshme, por ngre një enigmë të rëndësishme teorike: pse protestuesit do ta trajtonin vuajtjen në dobi të kauzës së tyre?

Pedagogët, të cilët kanë parashtruar kërkesat e tyre për rritje page, lajmëruan mundësinë e grevës.

Kjo, nëse qeveria nuk do u kthejë një përgjigje pozitive brenda 24 orëve.

Protesta e pedagogëve/ Sandër Kovaçi: Në universitete do të vijojë bojkoti i pjesshëm! - Gazeta Standard Online

Kreu i Sindikatës, Aleksandër Kovaçi zbuloi se situata do të avancojë, pasi pritet që një numër prej dhjetë pedagogësh të hyjnë në grevë simbolike.

Kujtojmë që “Neni 50” i Kushtetutës ua njeh të punësuarve këtë të drejtë.

Bëhet fjalë për anëtarësimin e tyre në organizata sindikale lidhur me mbrojtjen e interesave të tyre të punës.

“E drejta e të punësuarit për grevë që ka të bëjë me marrëdhëniet e punës, është e garantuar. Kufizime për kategori të veçanta të punësuarish mund të vendosen me ligj për t’i siguruar shoqërisë shërbimet e domosdoshme”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nëpërmjet një postimi në median sociale Twitter, deklaroi se “grevë urie për rritje rroge bëjnë vetëm njerëzit e pa fe dhe pa atdhe e rublaxhinj pa din e pa imam, që vetëm Shqipërisë nuk i shërbejnë”.

Por, përshkallëzimi i kësaj proteste do të hyjë në vazhdën historike të grevave për shkaqe ekonomike dhe jo politike.

Historiku

Pluralizmi në Shqipëri, së bashku me të drejta të tjera, solli edhe atë të grevës.

Parashikimi i një greve nga ana e pedagogëve, e cila kontestohet nga kreu i qeverisë na kthen pas në vitin 1991 kur organizohej e para masë drastike “popullore”.

Më 16 maj të vitit 1991 do të shpallej greva e përgjithshme, që nga përmasat ishte greva e parë më e madhe në historinë e Shqipërisë.

Nga kjo grevë do t’i drejtoheshin qeverisë 17 kërkesa.

Ja ish -grevistet e urise qe u bene politikane/Foto galeri - Opinion.al

Këto kërkesa iu drejtuan për dijeni edhe Presidiumit të Kuvendit Popullor.

Mbi 800 mijë punonjës në mbarë vendin ndërprenë punën për të qenë pjesëmarrës në grevën e përgjithshme.

Një manifestim paqësor me pikënisje fushën e Aviacionit ku morën pjesë 250 mijë punëtorë tronditi kryeqytetin dhe mbarë vendin duke pasuar me një fitore të mundimshme ndaj regjimit të kohës.

Greva të tjera

Të burgosurit shqiptarë do të nisnin në vitin 2002 një grevë urie në shenjë proteste për kushtet e paraburgimit në Komisariatin e Policisë së Rreshenit.

Sipas informacioneve të kohës, duke qenë se burgjet shqiptare ishin të mbipopulluara, të paraburgosurit detyroheshin të kryenin dënimin në dhomat e paraburgimit në komisariat dhe jo në burgje apo ambiente korrektuese.

Sipas raportit, 12 persona protestuan në komisariat kundër kushteve të vështira të paraburgimit në stacion dhe indiferencës së Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve ndaj kësaj situate.

Për shkak të mungesës së hapësirës në Komisariatin e Policisë Rrëshen, 32 të dënuar dhe të paraburgosur mbaheshin në gjashtë dhoma të paraburgimit që normalisht duhet të strehonin 18, prandaj zonat e mbipopulluara ishin kthyer në rrezik për shëndetin.

Në maj të vitit 2010 rreth 200 anëtarë të opozitës së udhëhequr (asokohe) nga Socialistët u vendosën në një grevë urie me tendë përballë Kryeministrisë.

PS.AL

Ligjvënësit e opozitës në Shqipëri deklaruan gjatë grevës se nuk kishin ndërmend të dorëzoheshin derisa të rihapeshin kutitë e votimit nga zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009.

Socialistët kërkonin një rinumërim të pjesshëm të votave nga zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar, të cilat i jepnin një shumicë të ngushtë fituese Partisë Demokratike të Sali Berishës.

Opozita kishte bojkotuar parlamentin për tetë muaj, duke penguar miratimin e shumë ligjeve të krijuara për të përafruar vendin me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Pavarësisht ndërmjetësimit të presidentit të atëhershëm Bamir Topi dhe Këshillit të Evropës, të dyja palët mbeten të vendosura në qëndrimin e tyre, ndërkohë që ngërçi ngeci progresin e vendit drejt integrimit në BE.

Deri në vetëflijim

Minatorët grevistë shqiptarë do të kundërshtonin në shtator të vitit 2011 një ofertë të re nga kompania austriake “DCM DECOmetal”.

Kjo, për të nënshkruar kontrata individuale që ofronin një rritje page prej 20 për qind, duke kërcënuar të zgjaste një grevë dy-mujore.

Shumica e 700 minatorëve që “DCM DECOmetal” kishte punësuar në Bulqizë, mbetën në grevë për shkak të pagave.

Ata do të organizonin aksionin më të gjatë industrial që nga rënia e komunizmit në vitin 1990.

Minatorët prisnin një rritje prej 20 për qind të pagës neto.

Një grevë urie nga ish-të përndjekurit politikë do të fillonte më 21 shtator të vitit 2012 ku përfshiheshin 20 persona të persekutuar gjatë viteve komuniste.

Greva filloi për qëllime ekonomike, duke kërkuar nga qeveria që t’i dëmshpërblejë ata sipas një ligji të miratuar në vitin 2007 që u jepte të drejtën ish të burgosurve politikë 2 mijë lekë (11.5 euro) për çdo ditë që ishin në burg.

Lirak Bejko

Dy grevistët, Gjergj Ndreca (51 vjeç) dhe Lirak Bejko (47 vjeç) i vunë flakën vetes në shenjë proteste ndaj neglizhencës së strukturave shtetërore.

Bejko, i cili u dërgua në një spital në Bari të Italisë për trajtim, ndërroi jetë.

Para vdekjes së tij, Bejko – i cili pësoi djegie në 50% të trupit të tij – i tha një intervistuesi në spital se ai donte që shokët e tij disidentë të vazhdonin protestën e tyre, por jo të ndiqnin shembullin e tij, raportonte agjencia e lajmeve “Reuters”.

Operatorët e rafinerisë shqiptare të naftës (ARMO) do të krijonin në shtator të vitit 2020 një borxh nga pagat e papaguara ndaj punonjësve të naftës në vlerën 5.7 milionë euro vetëm gjatë periudhës gjashtëmujore nga gushti 2015 deri në janar 2016.

Kjo do të bënte që naftëtarët dhe naftëtaret të hynin në një grevë urie.

Punëtorët kërkonin edhe pagat e papaguara nga kompania “IRTC Oil” e cila operonte uzinën e naftës në Ballsh deri në fund të vitit 2017.

Greva do të zgjaste deri në muajin nëntor të vitit 2020, pasi u gjet marrëveshja me qeverinë për pagat e prapambetura.

Në vrullin e akteve finale, pra ‘grevave’, shqiptarët kanë dëshmuar se kauzat më së shumti nuk kanë qenë politike por ekonomike dhe sociale.

Ndërsa qeveria bën detyrën kur është në opozitë duke u bërë “palë” me grevën, nuk mund të thotë të njëjtën gjë për veten kur zihen sheshe dhe jo ekrane mediatike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore