Shqipëria

Greqia shtyn vendimin për hapjen e kufijve me Shqipërinë/ Mbi 1 mijë persona mund të kalojnë në kufi


Ambasada greke në Shqipëri ka njoftuar të hënën e 14 qershorit se tani e tutje kuota ditore e personave që do të kalojnë në pikën kufitare të Kakavijës drejt shtetit fqinj Grqi, do të jetë 1 mijë e 500 veta.

Përsa u përket masave të tjerave, mbeten në fuqi deri më 21 qershor. Drejt shtetit fqinj lejohen të kalojnë vetëm shtetasit shqiptarë që kanë leje qëndrimi në Greqi si dhe punëtoret sezonalë.

Lajmin e bëri të ditur nëpërmjet një postimi në median sociale Twitter.

Vendimi i palës greke

Pala greke më 6 qershor vendosi të shtyjë sërish hapjen e kufijve për turistët shqiptarë deri më 14 qershor.

Ndërkaq për herë të parë që prej marsit 2020 është hapur dogana e Qafë-Botës me kapacitet deri në 250 persona në ditë.

Fillimisht masat nga pala greke u ndërmorën, për shkak të ndalimit të përhapjes së Covid-19, pas shtimit të rasteve çdo ditë e më shumë te të dyja vendet fqinje.

Ky vendim ngjall pikëpyetje, pasi më 19 prill, Greqia hapi sezonin turistik për 30 vende të ndryshme dhe jo për Shqipërinë.

Hapja e kufijve u bë për vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Emiratet e Bashkuara Arabe, Izraeli dhe shtetet fqinje Serbi dhe Maqedoni e Veriut.

Duke parë kurbën e rasteve të infektimeve me Covid-19, Shqipëria është e para për rastet më të ulëta, me një mesatare katër herë më e ulët se ajo e Maqedonisë së Veriut.

Po ashtu Shqipëria gjatë dy ditëve të fundit nuk ka pasur asnjë humbje jete nga COVID.

Situata e vaksinimit në të dyja vendet

Shqipëria renditet e dyta, pas Serbisë në Ballkanin Perëndimor, ndërsa ritme shumë të ulëta në këtë drejtim kanë pasur Maqedonia e Veriut dhe Kosova.

Ajo e ka filluar vaksinimin më 11 janar, në të njëjtën ditë kur në Aeroportin Ndërkombëtar Rinas mbërritën 975 vaksina anti-Covid.

Nga ana tjetër, Maqedonia e Veriut mbetet shumë mbrapa me vaksinimin e popullatës. Deri më tani raportohet të jenë administruar 74 mijë e 76 doza të vaksinave Covid.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore