Lajme

Gorilla “yll” i selfie-ve jep frymën e fundit në krahët e kujdestarit të saj


Një gorillë malore, e cila u bë “e famshme” pasi pozoi në një “selfie” me një rojtar parku, ka ngordhur në krahët e “mikut të saj”, i cili e shpëtoi atë kur nuk ishte as dy muajshe.

Gorilla Ndakasi u fotografua në grahmën e fundit, mbështetur te gjoksi i kujdestarit të saj, Andre Bauma, 49 vjeç, në Parkun Kombëtar Virunga në Kongo.

Ndakasi u shua në moshën 14-vjeçare.

Rojtarët e parkut e gjetën atë të kapur pas trupit të pajetë të nënës së saj, e cila ishte vrarë nga milicia e armatosur orë më parë.

Më pas, ajo u transferua në Qendrën Senkwekwe të parkut.

Gorilla u bë e famshme në internet, kur u shfaq në një “selfie” me rojtarin e parkut Mathieu Shamavu në vitin 2019.

Por, pas më shumë se një dekade kujdesi në Qendrën Senkwekwe, fatkeqësisht ajo ngordhi.

Në një deklaratë nga parku thuhet se “gorilla vuante nga një sëmundje, e cila u përkeqësua me shpejtësi”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore