Kosova

Gjykata ia vazhdon paraburgimin Krasniqit edhe për dy muaj


Nagip Krasniqi, kryeshef i pezulluar i Korporatës Energjetike të Kosovës

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur t’ia vazhdojë paraburgimin edhe për dy muaj, Nagip Krasniqit, i cili dyshohet për korrupsion në cilësinë e drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar për Albanain Post, zëdhënëse e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.

Ky vendim vjen pasi Gjykata e Apelit përmes aktvendimit kishte aprovuar ankesën e mbrojtësit të të pandehurit Krasniqi, avokatit Virtyt Ibrahimaga, e ku thuhej se vendimi i Themelores për vazhdimin e paraburgimit për Krasniqin për dy muaj, “është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale”.

Ndryshe, më 19 prill, ish-drejtoi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ishte arrestuar nën dyshimin se keqpërdori në një tender prej 3.4 milionë euro me kompaninë “Litwin SA” dhe partnerin vendor “Bujar B. Shala B.I.”, për tenderin rreth kryerjeve të punëve për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të Njësisë A5 të TC “Kosova A”.

Ndërkaq Bordi i Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), me efekt të menjëhershëm vendosi për pezullimin e Krasniqit nga detyra.

Emri i Krasniqit, u përmend edhe në rastin e skandalit financiar të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Ky i fundit u raportua se ishte takuar në Kroaci me Krasniqin gjatë muajit mars të vitit të kaluar.

Megjithatë, këtë e kishte mohuar Berishaj gjatë raportimit të tij në Komisionin Hetimor për Energjinë në Kuvendin e Kosovës më 17 nëntor të vitit të kaluar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore