Lajme

Apeli e anulon vendimin, por ish-drejtori i KEK-ut mbetet në paraburgim


Gjykata e Apelit përmes aktvendimit ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të të pandehurit Nagip Krasniqi, avokatit Virtyt Ibrahimaga dhe ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë e cila ia kishte vazhduar paraburgimin për dy muaj Krasniqit.

“Gjykata e Apelit gjen se gjykata e shkallës së patë në aktvendimin e ankimuar, nuk ka dhënë arsyet e duhura dhe të nevojshme sa i përket vazhdimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, që lidhen me pikën 1.2.2 të KPPRK-së e që kanë të bëjnë me rrezikun e asgjësimit, fshehjes, ndryshimit apo falsifikimit të provave të veprave penale dhe pengimit të procedurës penale përmes ndikimit në dëshmitarë, në të dëmtuar apo bashkëpjesëmarrës të veprave penale”, thuhet në aktvendimin e Apelit.

Por, sipas aktvendimit të Apelit të cilin e posedon Albanian Post, Krasniqi do mbetet në paraburgim deri në një vendim tjetër të gjykatës së shkallës së parë.

 

Sipas Apelit, vendimi i Themelores për vazhdimin e paraburgimit për Krasniqin për dy muaj, “është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale”.

Më 19 korrik të këtij viti, Gjykata Themelore ia kishte vazhduar masën e paraburgimit edhe për Krasniqi, i cili po dyshohet nga organet e drejtësisë për korrupsion.

Ndryshe, më 19 prill, ish-drejtoi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ishte arrestuar nën dyshimin se keqpërdori në një tender prej 3.4 milionë euro me kompaninë “Litwin SA” dhe partnerin vendor “Bujar B. Shala B.I.”, për tenderin rreth kryerjeve të punëve për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të Njësisë A5 të TC “Kosova A”.

Ndërkaq Bordi i Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), me efekt të menjëhershëm vendosi për pezullimin e Krasniqit nga detyra.

Emri i Krasniqit, u përmend edhe në rastin e skandalit financiar të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Ky i fundit u raportua se ishte takuar në Kroaci me Krasniqin gjatë muajit mars të vitit të kaluar.

Megjithatë, këtë e kishte mohuar Berishaj gjatë raportimit të tij në Komisionin Hetimor për Energjinë në Kuvendin e Kosovës më 17 nëntor të vitit të kaluar.

“Nuk kam pasur takim me kryeshefin e Korporatës Energjetike të Kosovës. Unë gjitha takimet fillimisht i bëjë në ambasadë. Jam shumë i gëzuar që kam pas mundësin ta shpjegoj një shpifje të madhe që është bërë”, pati thënë Berishaj.

Më 2 dhjetor të vitit të kaluar, Krasniqi ishte ftuar për të raportuar para Komisionit Hetimor Parlamentar i Kosovës në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022.

Por, e kishte lëshuar mbledhjen pas pyetjes së kryetarit të këtij komisioni, Hajdar Beqa, i cili kishte kërkuar informacione nga Krasniqi për mos fillimin e remontit të bllokut A5 në Termocentralin “Kosova A”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore