Shqipëria

Gjykata cakton 8 masa sigurie për mjekët e spitalit Onkologjik, hetim për ilaçet e kimioterapisë


Gjykata e Tiranës ka caktuar 8 masa ‘arrest shtëpie’ dhe ‘detyrim paraqitje’ për mjekë të Spitalit Onkologjik në QSUT.

Ky vendim është bërë me kërkesë edhe të prokurorisë së Tiranës.

Po ashtu mësohet se ka një hetim për çështje medikamentesh për kimioterapinë.

Sipas një njoftimi zyrtar, Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2023, ka finalizuar operacionin policor “Kobalti”.

Në kuadër të tij u ekzekutuan masat e sigurisë:

– “Arrest në shtëpi” për shtetasin E. G., 44 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shperdorimi i detyrës”;

– “Arrest në shtëpi” për shtetasin F. M., 42 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave që janë kontrabandë”;

– “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për shtetasin E. L., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

– “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për shtetasen A. Y. (P)., 53 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

– “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për shtetasen B. Q., 52 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;

– “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore”, për shtetasin H. G., banues në Tiranë, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”;

– Për shtetasen D. K., për të cilën është vendosur masa e sigurisë “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore”, nuk është bërë ekzekutimi i vendimit penal pasi rezulton jashtë RSh-së.

Këta shtetas kanë qenë të punësuar në spitalin shtetëror “Nënë Tereza”, duke shpërdoruar detyrën, nuk jepnin shërbimin e duhur në spitalin shtetëror, por i orientonin pacientët në spitale private për të marrë shërbimet që kërkonin.

Gjithashtu në spitalin “Nënë Tereza” ka qenë i vendosur dhe burimi i kobaltit që shërbente për radioterapinë por nuk vendosej në punë dhe ishte jashtë kushteve të përdorshmërisë duke u kthyer në një burim rreziku për pacientët. Gjatë hetimit është bërë i mundur që ky burim të zhvendosej dhe të vendoset në vendin e përcaktuar.

Në kuadër të këtij procedimi është ushtruar kontroll në disa subjekte farmaceutike ku janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme mallrash të dyshuara kontrabandë dhe të falsifikuara, shuma 10 000 euro, si dhe një klinikë mjekësore.

Materialet i kaluan Prokurorisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore