Rajoni

Qeveria e re e Malit të Zi deri më 19 shtator, përndryshe vendi shkon në zgjedhje


Milo Gjukanoviç

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, më së voni deri më 18 shtator do të përpiqet t’i propozojë Kuvendit të Malit të Zi, mandatarin e rij për formimin e Qeverisë së re të Malit të Zi, pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj ish-kryeministrit, Dritan Abazoviç.

Një gjë e tillë është bërë e ditur për të përditshmen malazeze, “Vijesti” nga kabineti i Gjukanoviç’it.

“Presidenti i Malit të Zi, në kohën e duhur, jo më vonë se 30 ditë nga dita e votimit të mosbesimit ndaj Qeverisë së 43-të të Malit të Zi, në përputhje me kompetencat e përcaktuara me Kushtetutë, do t’i propozojë parlamentit mandatarin e ri”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit.

Parlamenti malazez, të shtunën e 20 gushtit, votoi pro mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së Dritan Abazoviç, i cili udhëhoqi vendin vetëm 113 ditë.

Për shkarkimin e Qeverisë votuan 50 deputetë të pranishëm dhe një kundër.

Iniciativën për votëbesimin e Qeverisë e kanë dorëzuar paraprakisht 36 deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve, PS, Socialdemokratëve, Partisë Liberale dhe Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve.

Në votim nuk morën pjesë deputetët e Frontit Demokratik, Partisë Popullore Socialiste dhe të koalicionit “E zeza mbi të bardhë”, si dhe deputeti i Demos, Miodrag Lekiç.

Iniciativa për mosbesimin ndaj qeverisë së Abazoviç-it është paraqitur nga 36 deputetë të DPS-së, Partisë Socialdemokrate, Partisë Liberale, Socialdemokratëve dhe disa partive të tjera, pak orë pasi Abazoviç nënshkroi Marrëveshjen/Kontratën Themelore me Patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe.

Ky ishte mocioni i dytë i mosbesimit të vitit, pas rënies në shkurt të kabinetit të kryeministrit Zdravko Krivokapiç, i cili u mbështet nga Kisha Ortodokse Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore