Shqipëria

GJKKO vendos “arrest me burg” për kryebashkiakun e Lushnjës


Gjykata e Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) të enjten e 8 korrikut vendosi të lërë në fuqi masën “arrest me burg” për kryebashkiakun e Lushnjës, Fatos Tushe.

Tushe, së bashku me 10 zyrtarë të tjerë, u arrestuan me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), të hënën e 6 korrikut.

Kjo e fundit ka lëshuar shtatë masa “arrest me burg”, si dhe katër masa “arrest shtëpie”.

Përkatësisht GJKKO ka lënë në burg Flamur Peqinin, Ibrahim Lamin, Bujar Muratin, Gazmend Çelën, Bektash Nexhën dhe Blerta Turkun.

Ndërsa “arrest shtëpie” ka lënë Margarita Gjermenin, Andri Mushon, Ani Simonin dhe Xhemal Haskon. Të gjithë punonjës të Bashkisë së Lushnjës.

Akuzat për të arrestuarit

Tushe u arrestua sepse akuzohej për favorizim dhe korrupsion.

Flamur Peqini, Gazmend Çela, Bektash Nexha dhe Blerta Turku akuzohen për korrupsion pasiv dhe abuzime me tendera. Këta të katër ishin punonjës të Bashkisë së Lushnjës.

Ndërsa Ibrahim Lami, administrator i kompanisë Loti sh.p.k, dhe Bujar Murati, administrator i kompanisë Euro Alb sh.p.k, akuzohen për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve”, kryer në bashkëpunim.

Hetimi ndaj Tushës nisi në korrik të 2020-ës.

Kjo erdhi pasi u dyshua se kishte përfituar në mënyrë të paligjshme nga një tender me vlerë 24 milionë lekë. Ky tender kishte të bënte me ndërtimin e kanalit vaditës në Lushnjë.

Të martën e 7 korrikut, kryeministri Edi Rama, me vendim të Këshillit të Ministrave, ka shkarkuar nga detyra Fatos Tushen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore