Shqipëria

GJKKO kalon për gjykim dosjen e Vangjush Dakos


Gjykata e Posaçme këtë të mërkurë të 17 prillit ka kaluar për gjykim dosjen në ngarkim të ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dakos dhe ish-zyrtarëve të tjerë.

Prej 27 shkurtit Dako ndodhet në arrest shtëpie pasi iu ndryshua masa e sigurisë, për tejkalim të afateve të paraburgimit.

Ankimi i SPAK për rikthimin e tij në burg u rrëzua nga Apeli.

Prokuroria akuzon Dakon se ka shpërdoruar detyrën në dy raste.

SPAK ka mbyllur hetimet për ish-kryebashkiakun e Durrësit dhe 10 të pandehurit e tjerë më 7 dhjetor 2023.

Dako është akuzuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion, kur ai ka mbajtur mandatin.

Më 8 qershor, ishte GJKKO që vendosi të caktojë masën e arrestit me burg për Dakon.

Avokati i tij mbrojtës, në një deklaratë për mediat tha se “Prokuroria nuk paraqiti asnjë provë për të justifikuar mbajtjen në burg”.

“Kërkesa jonë ishte ndryshimi i masës së burgimit pasi nuk ka duket e nevojshme. Dako ka qenë kryetar bashkie dhe ka ushtruar detyrën përmes strukturave, për të cilat nuk mban përgjegjësi kryetari i bashkisë. Ka një lapsus të prokurorisë. Është e provuar që vepra penale nuk ekziston”, u shpreh ai.

Dako në gjyq ka thënë se “nuk kam shkelur ligjin”.

Ai ka dhënë sqarime, në lidhje me tenderin për blerjen e projektit për zhvillimin e vijës bregdetare, nga zona e Brrylit deri në Currila, me pretendimin se nuk ka pasur dijeni dhe gjithçka ka qenë në dorën e specialistëve.

Sipas Dakos kjo procedurë Prokurimi Publik është zhvilluar nga specialistët dhe se ai nuk ka qenë në dijeni. Ish-kryebashkiaku ka thënë se nuk e ka shkelur në asnjë moment procedurën e prokurimit për këtë tender.

Avokati i tij mbrojtës, Petrit Ismalili është shprehur se Dako nuk ka lidhje me akuzat.

Për këtë ai ka kërkuar masa më të buta si ajo e arrestit shtëpiak, detyrim për t’u paraqitur, apo edhe garanci pasurore.

Kujtojmë që pas vetëdorëzimit, Dako është mbajtur në Bllokun e Sigurisë në rrugën “Mine Peza”.

Më herët, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), zbuloi akuzën për ish-kreun e Bashkisë Durrës dhe nëntë persona të tjerë, të përfshirë në disa çështje të bashkisë bregdetare ndër vite.

SPAK kërkoi caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, për Dakon, duke e akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim, dy herë.

Vangjush Dako akuzohet për dy episode të ndryshme, nën të njëjtën akuzë, atë të shpërdorimit të detyrës.

Në rastin e parë bëhet fjalë për dëmtimin e një pallati në Durrës që u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Ndërsa rasti i dytë përmend një procedurë prokurorimi projekt zhvillimor vlera e të cilit është “fryrë” duke kapur shifrën e 220 milionë lekëve të vjetra, nga përllogaritjet që ka bërë SPAK.

Më në detaje, vërehet se kontrolli i kuotës është bërë më 27 nëntor 2014 dhe pagesa e tarifës është bërë më 16 shkurt 2015.

Më 19 maj 2015 është bërë pagesa e tarifës për lejen e përdorimit dhe tetë ditë më pas është miratuar certifikata e përdorimit nga drejtori i Planifikimit të Territorit, Adhurim Qehajaj.

Sipas dosjes së zbardhur, në të njëjtën datë ky dokument është nënshkruar nga Vangjush Dako, në cilësinë e kryebashkiakut.

Në vijim, shkresa i është dërguar Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Durrës.

Kujtojmë se 10 personat e arrestuar nga SPAK për këtë dosje janë: Vangjush Dako, Adhurim Qehajaj, Ermal Lama, Fatmir Ejupi, Adrian Bulku, Fiqiri Fareuku, Adnand Toçilla, Meri Semini Priftuli, Ferzilet Hajderi, Djana Dedja.

Më 30 korrik, i etiketuar si non grata nga SHBA-të, sot drejtësia shqiptare po merr veprime konkrete ndaj tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore