Lajme

Gjermania e mohon se vrasësi i Ivanoviç-it është nën mbrojtjen e tyre


Ambasada e Gjermanisë në Serbi e ka mohuar se vrasësi i politikanit serb nga Kosova, Olive Ivanoviç është nën mbrojtjen e autoritete gjermane, siç pretendoi ministri i Punëve të Brendshme në Serbi, Bratislav Gashiç një ditë më parë, raporton televizioni N1.

“Ne hedhim poshtë kategorikisht akuzën se autori është nën mbrojtjen e autoriteteve gjermane. Qeveria federale nuk e ka pranuar kërkesën e autoriteteve serbe për këtë çështje”, thuhet në përgjigjen e ambasadës gjermane.

Ndryshe, Gashiç tha të mërkurën se dihet se kush është vrasësi i Ivanoviç-it dhe nën mbrojtjen e kujt ndodhet.

“Ne e dimë saktësisht se kush është vrasësi dhe kemi kërkuar nga autoritetet gjermane nën mbrojtjen e kujt është ai njeri që të na japin informacion. Kemi fotografi nga aeroporti i Tiranës kur ka zbritur dhe kur ka hyrë në Prishtinë”, ka pretenduar Gashiç në Kuvendin e Serbisë, duke thënë se kjo ka qenë rezultat i punës së përbashkët të Prokurorisë për Krim të Organizuar, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe BIA-s.

Ivanoviç u vra më 16 janar 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, përpara zyrës se partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.

Ndërsa, Milan Mihailoviç, i dyshuar për vrasjen e tij ishte liruar me 16 mars të këtij viti nga Gjykata.

Në fakt, atij i është zbutur masa e sigurisë, nga paraburgimi, në arrest shtëpiak, meqë sipas avokatit të tij Miodrag Bërkljaç, ai do të paraqitet në stacion të policisë dy herë në javë, të martën dhe të enjten.

Ai ishte arrestua në tetor të kaluar dhe akuzohej se ishte “i lidhur drejtpërdrejt me grupin që i ka marrë jetën Ivanoviçit”, dhe po mbahej në paraburgim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore