Film

Gjermania drejt ndryshimit të industrisë filmike në të gjelbër


Edhe industria e kinematografisë lë gjurmë në mjedis.

Ekipet udhëtojnë në vende në mbarë botën. Kurse gjeneratorët me naftë funksionojnë gjatë gjithë ditës për të siguruar dritë dhe energji për të gjithë grupin.

Karburant përdorin edhe kamionët e shumtë dhe rimorkiot që kërkohen për prodhimet kryesore.

Prandaj dhe Gjermania po synon ta reduktojë ndikimin e industrisë në mjedis, dallon transmetuesi “Deutsche Welle”.

Grupi i punës, Green Shooting, ka arritur një marrëveshje me agjencitë e financimit të filmit të shteteve federale dhe Bordin Federal të Filmit Gjerman në Berlin për të vendosur standarde ekologjike për prodhimet kinematografike.

“Kriza klimatike është një nga çështjet e mbijetesës së kohës sonë”, ka thënë ministrja e shtetit për Kulturën dhe Median, Claudia Roth.

Ajo ka shtuar se kjo krizë mund të zgjidhet vetëm nëse të gjithë bëhen bashkë.

Standardet e para ekologjike

Që nga fillimi i këtij viti, standardet minimale ekologjike të grupit Green Shooting janë zbatuar në Gjermani nga transmetuesit publikë dhe privatë, si dhe nga shërbimet e transmetimit si Netflix.

Kompanitë mësohet se punësojnë konsulentë të qëndrueshmërisë, të njohur gjithashtu si “konsulentë të gjelbër”.

Ky i fundit llogarit konsumin e parashikuar të karbonit, ndryshe gjurmën ekologjike të prodhimit të filmit.

Prej vitit të ardhshëm, pritet që standardet minimale ekologjike të grupit të zbatohen në mënyrë uniforme në të gjithë Gjermaninë, duke u bërë kërkesa për financimin e filmit nga qeveria federale dhe ajo shtetërore.

Në këtë mënyrë, të gjitha prodhimet e financuara nga qeveritë federale dhe shtetërore do të marrin etiketën “Green Motion”, e cila është prezantuar në fillim të vitit 2022.

Forca shtytëse e kësaj qasjeje të re në industrinë e filmit ishte dhe është iniciativa e Changemakers.film, e cila zhvilloi standardet minimale ekologjike me ndihmën e ekspertëve mjedisorë.

Prej asaj kohe, më shumë se 600 anëtarë të industrisë së filmit i janë bashkuar grupit.

Prodhimi i dëmshëm

Një nga gjërat që i pengon kineastët gjermanë të prodhojnë në mënyrë të qëndrueshme është konkurrenca rajonale për të tërhequr xhirimet e filmit në vend.

Shumë produksione udhëtojnë nga veriu në jug ose nga lindja në perëndim të Gjermanisë për të fituar akses në subvencionet e filmit që jepen vetëm nëse filmi xhirohet në shtetin federal ku ndodhet agjencia e financimit të filmit.

Kjo pasi secili shtet gjerman ka sistemin e tij të financimit, me kriteret e veta specifike të pranueshmërisë.

Nga ana tjetër, prodhimet filmike sipas standardeve ekologjike rezultojnë më të shtrenjta.

Patricia Schlesinger, drejtoreshë e transmetuesit publik, ka thënë se “nuk mjaftojnë vetëm standardet minimale për të përballuar krizën klimatike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore