Lajme

Gjermani, studiuesit zbulojnë shkakun e mpiksjes së gjakut nga AstraZeneca


Disa studiues, në spitalin universitar Greifswald, në Gjermaninë Veriore, të premten e 19 marsit, deklaruan se kanë zbuluar shkakun pse ka mpiksje të gjakut te personat që marrin dozën e vaksinës AstraZeneca.

Sipas tyre, pas vaksinimit te disa pacientë u vu re mpiksje e gjakut në tru. Megjithatë, kjo mund të parandalohet me një trajtim të veçantë.

Suksesi u arrit falë bashkëpunimit midis spitalit Greifswald, rregullatorit shtetëror të shëndetit, Instituti Paul Ehrlich (PEI), si dhe mjekëve austriakë.

Studiuesit morën shkas, pasi një infermiere vdiq nga tromboza në tru pas vaksinimit me dozën e AstraZeneca-s.

Ata theksuan se trajtimi do të ndodhë vetëm te pacientët, tek të cilët shfaqen shenjat e mpiksjes së gjakut.

Informacioni dhe detajet e trajtimit janë shpërndarë në të gjitha spitalet në Evropë.

AstraZeneca, në rrugën e duhur drejt Evropës

Gjermania, si dhe disa shtete të tjera anëtare të Bashkimit Evropian, pezulluan përdorimin e vaksinës AstraZeneca të hënën pas raporteve të mpiksjes së pazakontë të gjakut.

Të enjten, Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) tha se nuk kishte asnjë lidhje të provuar midis vaksinës dhe mpiksjes së gjakut, bazuar në informacionin që ata kishin. Ata gjithashtu deklaruan se përfitimet e dozës tejkaluan çdo rrezik të mundshëm.

Gjermania kishte administruar mbi 10 milionë doza të vaksinave anti-COVID, përfshirë dhe vaksinën AstraZeneca. Mëngjesin e 19 marsit, ajo filloi përsëri ta administronte vaksinën e administruar nga AstraZeneca.

Po ashtu, edhe Italia do të ndjekë shembullin e Gjermanisë.

Spanja do të rifillojë inokulimet nga e mërkura.

Kanadaja, gjithashtu, i dha mbështetjen e saj vaksinës.

Pse u ndalua përdorimi i AstraZeneca-s?

Kjo erdhi pas disa raporteve ku dyshohej se pas implementimit, disa njerëz në Danimarkë dhe Norvegji kishin pësuar mpiksje gjaku.

Gjithashtu ka pasur dhe humbje jete, raste të dyshuara se kanë ndodhur nga tromboza e shkaktuar nga vaksina.

Por, OBSH dhe AMA kanë deklaruar se nuk ka asnjë tregues në lidhje me shkaktimin e mpiksjes së gjakut pas implementimit të vaksinës.

EMA, e cila aktualisht po kryen një studim të incidenteve të mpiksjes së gjakut, ka deklaruar se vaksina mund të vazhdojë të administrohet.

Çfarë ka deklaruar AstraZeneca?

Kompania ka deklaruar se nuk kishte prova të një rreziku të rritur të mpiksjes për shkak të vaksinës.

Ajo tha që në të gjithë BE-në dhe Mbretërinë e Bashkuar kishin pasur 15 raste të trombozës së venave të thella, një mpiksje gjaku në venë. 22 ngjarje të embolisë pulmonare, një mpiksje gjaku që është shfaqur në mushkëri.

AstraZeneca tha se këto shifra ishin “shumë më të ulëta nga sa pritej të ndodhnin natyrshëm në një popullatë të përgjithshme të kësaj madhësie dhe janë të ngjashme me vaksinat e tjera të licencuara të Covid-19”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore