Lajme

Gjendet çizmja e alpinistit Günther Messner pas 52 vjetësh


52 vjet pas vdekjes së Günther Messner nga një ortek, gjatë një ekspedite me vëllain e tij Reinhold në Nanga Parbat, është gjetur çizmja e dytë e alpinistit.

“Javën e kaluar, këpuca e dytë e vëllait tim Günther u gjet rrëzë akullnajës Diamir nga vendasit. Pas 52 vjetësh”, ka shkruar Reinhold në Instagram.

Ishte 29 qershor 1970 kur Gunther Messner u shpall i vdekur, pasi u godit nga një ortek kur së bashku me vëllain e tij Reinhold po zbrisnin nga Nanga Parbat.

Ngjarja shkaktoi edhe polemika kundër Reinhold-it, për “braktisjen e vëllait të tij”.

“Kujtimi i asaj përvoje është ende i gjallë tek unë, edhe sepse u detyrova për 50 vjet të mbrohesha nga ata që u përpoqën të më akuzonin se kisha lënë tim vëlla të vdiste”, ka treguar ai.

“Emocionalisht jetoj në paqe, por ajo tragjedi është gjithmonë pjesë e jetës sime”, ka vijuar.

Eshtrat e Günther-it u gjetën së bashku me njërën nga çizmet në vitin 2005.

“Zbulimi i eshtrave dhe i njërës çizme tregojnë qartë se Günther vdiq gjatë zbritjes dhe nuk u braktis nga unë gjatë ngjitjes”, ka thënë alpinisti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore