Lajme

Gërvalla ua prezanton “reformat dhe sukseset” kryediplomatëve të BE-së


Donika Gërvalla-Schwarz

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla-Schwarz, në Konferencën e Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian (BE), ka prezantuar “reformat e thella dhe sukseset e shumta” të Kosovës sa i përket përmbushjes së agjendës evropiane, sundimit të ligjit, ngritjes së nivelit të demokracisë dhe qeverisjes së mirë.

Shefja e diplomacisë kosovare, sipas komunikatës së MPJD-së, ka marrë pjesë në konferencën e kryediplomatëve evropianë në Berlin me ftesë të Ministres së Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, ku ndër të tjera, ka vlerësuar lart performancën e Kosovës sa i përket indikatorëve ekonomikë dhe sundimit të ligjit.

Ministrja Gërvalla po ashtu ka njoftuar krerët e diplomacisë evropiane me sfidat e sigurisë dhe përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për destabilizimin e Kosovës, të cilat, sipas saj, kanë kulmuar me sulmin terrorist të paramilitarëve serbë të dielën e 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.

“Ajo kërkoi dënim të ashpër nga BE-ja dhe shtetet anëtare dhe vuri në pah faktin që siguria e kontinentit evropian do të duhej të zinte vend të rëndësishëm në të gjitha debatet rreth zgjerimit të BE-së”, thuhet në komunikatën e MPJD-së, derisa përmendet edhe gatishmërina dhe përgatitja e institucioneve kosovare për të ecur në rrugën euroatlantike.

Konferenca e Ministrave të Jashtëm të BE-së dhe shteteve që aspirojnë anëtarësim vjen në dritën e “fërshëllimës” së zgjerimit të BE-se deri në vitin 2030. Kosova ka dorëzuar aplikacionin e saj për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Kosovën nuk e njohin 27 shtetet anëtare të BE-së, ndërsa kërkohet dhënia e statusit kandidat për anëtarësim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore