Lajme

Gërvalla njofton për ‘rrugëtimin’ drejt Parisit: Evropa po sfidohet nga ata që kërkojnë luftë


Donika Gërvalla-Schwarz

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka njoftuar nëpërmjet një postimi në platformën “X” se të enjten ka udhëtuar drejt Francës, ku do të marrë pjesë në edicionin e pestë të Forumit të Paqes (PPF) i cili do të mbahet mes 10 dhe 11 nëntorit në Paris.

Shefja e diplomacisë kosovare ka vlerësuar se rëndësia e PPF-së del në pah pikërisht në kohën kur Evropa po sfidohet nga kërcënimet e shumta nga ata që kërkojnë konflikt dhe luftë, derisa ka shtuar se bota duhet të qëndrojë e përbashkuar për të mbrojtur paqen dhe lirinë.

“Rrugës për në Paris. Forumi i Paqes në Paris është edhe më i rëndësishëm në kohët kur Evropa dhe bota po sfidohen nga kërcënimet e shumta nga ata që kërkojnë konflikt dhe luftë. Bota duhet të qëndrojë së bashku për të mbrojtur paqen dhe lirinë kundër këtyre kërcënimeve”, ka shkruar ajo.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar të mërkurën drejt Francës, ku me ftesë të presidentit francez, Emmanuel Macron, do të marrë pjesë në edicionin e sivjetmë të PPF-së, derisa janë paralajmëruar edhe disa takime bilaterale me krerët e shteteve dhe qeverive pjesëmarrëse.

Ai pritet të jetë pjesë e darkës me krerët e shteteve dhe qeverive pjesëmarrëse në PPF të enjten, ndërsa të shtunën, më 11 nëntor, kreu i ekzekutivit kosovar do të marrë pjesë në panelin e diskutimit me temën “Krijimi i paqes dhe ndërtimi i një bote më të sigurt”, ndërkohë që gjatë qëndrimit do ketë aktivitete të tjera.

PPF-ja është një event madhor ku liderët botërorë, krerët e organizatave ndërkombëtare dhe personalitete të shoqërisë civile mblidhen për të adresuar nevojat e bashkëpunimit të shteteve për çështje të ndërvarura, posaçërisht në kohëra të turbulencave ndërkombëtare.

Edhe presidenti i Serbisë, Alekandër Vuçiç, ka njoftuar se të enjten do të udhëtojë drejt Francës, ku pritet të takohet me presidentin francez, i cili kohën e fundit ka qenë i angazhuar drejtpërdrejt në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

Albanian Post ka kuptuar nga burime ndërkombëtare se kryeministri kosovar dhe presidenti serb pritet të takohet në kuadër të PPF-së për të diskutuar hapat e radhës drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars) në kuadër të përpjekeve të bashkësisë ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve.

Udhëtimi i Kurtit dhe Vuçiçit drejt Parisit vjen rreth dy javë pas ciklit të takimeve në Bruksel, ku kryeministri kosovar dhe preisdenti serb, janë takuar veç e veç me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, presidentin e Francës dhe kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, pas “stuhisë diplomatike” në përpjekje për ripërtëritjen e procesit të dialogut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore