Kosova

Gërvalla në San Marino për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe


Donika Gërvalla dhe Luca Beccari

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka vizituar Republikën e San Marinos, një mikroshtet, i vendosur në anën verilindore të maleve Alpine, i cili njihet si shteti i pestë më i vogël në botë me një sipërfaqe prej 61 kilometër katrorë e me një popullsi afër 33 mijë banorëve.

“Në San Marino për vizitën time të parë zyrtare”, ka shkruar ajo në platformën sociale X, ndërsa ka njoftuar ndër të tjera se gjatë qëndrimit në San Marino është takuar me Ministrin e Jashtëm, Luca Beccari.

“Kemi shqyrtuar marrëdhëniet tona dypalëshe dhe kemi shkëmbyer mendime për fusha të tjera me interes të përbashkët. Gjithashtu bëra përditësim të situatës së sigurisë në Kosovë pas aktit të hapur të agresionit të Serbisë më 24 shtator”.

Kryediplomatja kosovare ka bërë të ditur se gjatë vizitës së saj të parë në San Marino ka nënshkruar edhe një Memorandum Mirëkuptimit për Konsultimet Politike ndërmjet MPJ-së kosovare edhe asaj të San Marinos.

“Memorandum Mirëkuptimi për Konsultimet Politike do të sigurojë bashkëpunim konstruktiv dhe do të përmirësojë marrëdhëniet dypalëshe”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore