Lajme

Gërvalla në NATO: Kosova – faktor kyç i paqes dhe sigurisë në rajon


Donika Gërvalla-Schwarz

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës së Kosovës (MPJD), Donika Gërvalla-Schwarz, takoi të martën Ndihmës-Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për Çështje Politike dhe Politika të Sigurisë, Boris Ruge, gjatë vizitës në selinë qendrore të aleancës në Bruksel, ku deklaroi se Kosova është faktor kyç i paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Në njoftimin e lëshuar nga MPJD-ja bëhet e ditur se kryediplomatja kosovare theksoi se Kosova është e gatshme dhe e vendosur të fillojë dialogun dhe procesin e konkretizimit të marrëdhënieve me NATO-n, duke vënë në pah se Kosova si faktor kyç dhe i dëshmuar si kontributdhënëse për paqe dhe siguri në rajon dhe përtej i ka përqafuar vlerat euroatlantike.

“Vëmendje e veçantë gjatë këtij takimi kanë zënë dhe aspektet politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon, duke nënvizuar obstruksionet dhe sulmet e vazhdueshme të Serbisë si dhe ndërhyrjet e vazhdueshme të influencave të huaja për destabilizim të Kosovës dhe rajonit, në veçanti asaj ruse në Ballkanin Perëndimor”, u tha ndër të tjera komunikatën e MPJD-së.

Shefja e diplomacisë kosovare u tha se e falënderoi NATO-n për mbështetjen e vazhdueshme, derisa nënvizoi se është i domosdoshëm përparimi i proceseve integruese deri në anëtarësim të plotë të Kosovës. Ndryshe, katër vende anëtare të NATO-s – Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Greqia – nuk e njohin pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore