Lajme

Gërvalla merr mbështetjen e San Marinos për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës


Donika Gërvalla në San Marino

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka vizituar Republikën e San Marinos, një mikroshtet, i vendosur në anën verilindore të maleve Alpine, i cili njihet si shteti i pestë më i vogël në botë me një sipërfaqe prej 61 kilometër katrorë e me një popullsi afër 33 mijë banorëve.

“Në San Marino për vizitën time të parë zyrtare”, shkroi ajo në platformën sociale X, ndërsa ka njoftuar ndër të tjera se gjatë qëndrimit në San Marino është takuar me Ministrin e Jashtëm, Luca Beccari.

Gërvalla përveç homologut të saj, të martën ka takuar edhe delegacionin e San Marinos në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për të diskutuar për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtar.

“Diskutuam procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe hapat procedural përpara. Falënderova për mbështetjen e tyre në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit të plotë në KiE”.

Kryediplomatja kosovare ka bërë të ditur se gjatë vizitës së saj të parë në San Marino ka nënshkruar edhe një Memorandum Mirëkuptimit për Konsultimet Politike ndërmjet MPJ-së kosovare edhe asaj të San Marinos.

“Memorandum Mirëkuptimi për Konsultimet Politike do të sigurojë bashkëpunim konstruktiv dhe do të përmirësojë marrëdhëniet dypalëshe”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore