Kosova

Gërvalla: Me Kurtin s’kam asnjë problem, ka përpjekje “naive” për të na përçarë


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka mohuar akuzat se ka probleme me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Sipas saj, koalicioni qeverisës “është stabil” ndërsa përpjekjet për t’i përçarë në kabinetin qeveritar “janë naive”.

“Jam pjesë e të gjitha proceseve, përpjekjet janë shumë naive për të na paraqitur sikur kemi qëndrime të ndryshme. Qëndrimet janë të Republikës së Kosovës, nuk janë individuale, as të kryeministrit, as të kryetarit të Kuvendit dhe as të ministres”.

Gërvalla gjatë intervistës për agjencinë e lajmeve KosovaPress ka thënë se vazhdojnë ta mbështetin udhëheqësin e ekzekutivit në strategjitë të cilat i ka zgjedhur.

“Nuk kam asnjë problem, përkundrazi kam përkrahur kryeministrin në strategjinë e zgjedhur”, thotë Gërvalla.

Më 24 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, raportoi me fjalë hyrëse në seancën e fundit parlamentare për Marrëveshjen e arritur në Bruksel me Serbinë për Rrugën drejt Normalizimit të Raporteve dhe për pajtimin rreth aneksit të implementimit të 11 neneve të marrëveshjes.

Më pas, në një numër të madh replikash, ri-argumentojë edhe arritjen e marrëveshjes edhe benefitet që dalin nga nenet.

Jam i bindur që Marrëveshja e re sjell një hapje të re drejt rezultatit përfundimtar”, tha Kurti dhe shtoi se “ia vlen mundimi pasi arritëm diçka të rëndësishme dhe të pakthyeshme”, derisa vazhdimisht i referohej si marrëveshje asaj çfarë ka ndodhur në Bruksel e Ohër.

As 25 orë më vonë, ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, në një intervistë për Diário de Notícias, gazetën më të madhe në Portugali, e demantoi Kurtin duke deklaruar se në fakt me Serbinë s’është arritur marrëveshje.

“E vërteta është se ne ende nuk kemi marrëveshje me Serbinë”, deklaroi ajo pikërisht të kundërtën e asaj që Kurti pohonte në Kuvendin e Kosovë.

Kurse nga ana e deputetës së Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi ishte deklaruar se kryeministri është duke e shpërfillur vazhdimisht ministren Gërvalla.

Ajo ngrit dyshime se ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës ka mospajtime të mëdha, sidomos për dialogun Kosovë-Serbi.

Deputetët e Partisë Guxo përfshirë edhe ministren Gërvalla e cila kryeson këtë parti së bashku me ministrin e Bujqësisë Faton Peci, nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë pas arritjes se marrëveshjes bazë me Serbinë dhe aneksin e zbatimit të saj, duke mos e komentuar të njëjtën.

Kjo ka nxitur raportimet për mospajtime brenda kabinetit qeveritar.

Lista Guxo më parë është udhëhequr nga presidentja Vjosa Osmani, e cila pas marrjes së postit të pares së shtetit, ka dhënë dorëheqje nga obligimet partiake

Në zgjedhjet e vitit 2021, Guxo kishte garuar në listën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore