Lajme

Gërvalla kërkesë ndërkombëtarëve: Politika e butë ndaj Serbisë ka dështuar, tani nevojitet një kthesë thelbësore


Donika Gërvalla-Schwarz

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla-Schwarz, ka reguar nëpërmjet një postimi në platformën “X” të enjten, pas ‘rezervave’ të Serbisë ndaj deklaratës së miratuar në samitin e liderëve të Bashkimit Evropian (BE) dhe Ballkanit Perëndimor, duke refuzuar zbatimin e obligimeve të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Përkundër se në deklaratën e samitit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, thuhej se i janë bashkuar të gjitha vendet e rajonit, shteti serb ka paraqitur rezerva nëpërmjet së cilave ka bërë të qartë se pranimi i tekstit të deklaratës nuk e nënkupton edhe pranimin de facto apo de jure të pavarësisë së Kosovës. E shefja e diplomacisë kosovare ka kërkuar ndryshim të kursit.

“Serbia shprehimisht shpreh refuzimin e saj për të zbatuar dispozitat e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit. I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të pranojë se politika e zbutjes ndaj Serbisë ka dështuar. Tani nevojitet një kthesë thelbësore”, ka shkruar kryediplomatja Gërvalla të enjten në mbrëmje.

E në deklaratën e miratuar të mërkurën në Bruksel nga liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor u bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë që ta zbatojnë pa parakushte, pa vonesa dhe në tërësi Marrëveshjen Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksin e Implementimit (Ohër, 18 mars) për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd nën kujdesin e BE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore