Lajme

Gërvalla ende beson se raketat në Poloni i hodhi Rusia – “s’jam në klasën e 2-të në fillore që t’i komentoj kritikat”


Donika Gërvalla

Ndonëse raketat e rëna në territorin polak mbrëmjen e 15 nëntorit, të cilat shkaktuan dy persona të vdekur, janë lëshuar nga sistemi i Mbrojtjes ukrainase dhe kjo është konfirmuar edhe nga NATO, për ministren e punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, një gjë e tillë nuk është plotësisht e vërtetë.

Gërvalla është e bindur se prapa këtij akti qëndron Rusia, ani pse një gjë e tillë u mohua nga shefi i NATO-s Jens Stoltenberg, në një konferencë për media një ditë pasi raketat ranë në territorin polak.

“Po të mos ishte Rusia ato raketa nuk do të kishin shpërthyer në territorin polak”, deklaroi Gërvalla në një intervistë për ATV.

Për këtë deklaratë të saj, ministrja u kritikua gjerësisht në Kosovë për pamaturi dhe mungesë të taktit në sjelljet e saja diplomatike.

Megjithatë në argumentimin e saj këto kritika përpos që janë qesharake janë edhe fëmijërore.

“Më duket se po flasim si në klasën e dytë fillore që dikush thotë uuuu… e the këtë edhe të kapa, politika nuk është me të kapme, politika është përçim mesazhi dhe prandaj unë nuk jam e gatshme të merrem me lojnat e shkollës fillore”, ka shtuar ajo.

Përkundër kritikave, Gërvalla beson se mesazhet politike –  jo vetëm në këtë rast me raketa – të cilat i përçon Kosova janë të rëndësishme.

“Jam shumë e bindur që përcaktimi i Kosovës në krah të partnerëve që është një përcaktim shumë i natyrshëm i yni nga kjo vjen fuqia e mesazhit që ne përçojmë”.

Derisa NATO, Pentagoni dhe shtetet perëndimore ende nuk po e konfirmonin zyrtarisht se Rusia kishte hedhur raketa në territorin e Polonisë, rrjedhimisht në territorin e NATO-s, kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, kishte dalë me një cicërimë duke e bërë fakt të kryer çështjen e autorit.

Përveç se tha se dy vrasjet nga këto raketa kanë ardhur nga sulmet ruse ajo bëri thirrje gjithashtu se “BE-ja duhet të veprojë me vendosmëri për të ndaluar Putinin përpara se ai dhe korrierët e tij të sjellin luftën në të gjithë kontinentin”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore