Lajme

Gastronomët në Kosovë paralajmërojnë protestë për lirimin e masave anti-COVID


Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, ka paralajmëruar protestë në të martën e 25 majit.

Petrit Kllokoqi nga kjo shoqatë, për Albanian Post ka thënë se qëllimi i kësaj proteste është lirimi i masave anti-COVID.

“Arsyeja e protestimit është lirimi i masave si heqja e orës policore, shtyrja e orarit, hapja e klubeve të natës dhe sallave të dasmave si dhe hapja e pishinave”, është shprehur ai.

Kllokoqi po ashtu, ka thënë se përmes kësaj proteste dëshirojnë t’ua hapin sytë institucioneve sa i përket situatës së këtij sektori.

“Nuk është protestë për ndërrimin e qeverisë. Është protestë më ua hap sytë e veshët, që dikush që 450 ditë ka qenë i mbyllur e dikush tjetër duke punuar me kufizime e dënime”, ka shkruar ai në Facebook.

Duke iu drejtuar ministrit të Ministrisë së Shëndetësisë, Arben Vitisë, Kllokoqi ka thënë se masat më nuk kanë efekt.

“Nuk kanë efekt më masat, përderisa rajoni e bota po hapen. Masat nuk ua pranojmë më. MASAT LËSHONI SOT kur jemi në prag të verës , ku jemi me një për qind raste në ditë, kur po e presim diasporën. Ministër, kemi bërë deklaratë të përbashkët që nëse rastet bien, orari zgjatet, masat lehtësohen e plani për verën përgatitet”, ka shtuar ai.

Duke theksuar procesin e vaksinimit që sipas Kllokoqit Kosova ka mbetur mbrapa, ai fajin ua lë institucioneve të vendit.

“Ju na tradhtuar, jo ne. Ne jemi mbrapa edhe me vaksinim, shkaku juaj e jo i yni. O hapeni verën, o e hapëm vet”.

Kllokoqi më tej ka potencuar se nuk do të dalin për ta dëmtuar pronën e shtetit.

“ Nuk po dalim ta dëmtojmë pronën e shtetit, asnjëherë, që me taksën tonë e babës e gjyshit e ndërtuam. Po dalim në një protestë (EVENT pakënaqësie), që e kemi edhe me të drejtë kushtetuese”, është deklaruar ai.

Kjo protestë do të zhvillohet para objektit të Qeverisë së Kosovës, në sheshin “Skënderbeu”, nga ora 18:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore