Lajme

Gastronomët e Kosovës bëjnë thirrje për lirim nga tarifat e shfrytëzimit të hapësirave publike


Ilustrim

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka dalë me një lutje të re – kësaj radhe, ata po bëjnë thirrje për të gjitha komunat, që të lirohen nga tarifat e shfrytëzimit të hapësirave publike, respektivisht të tarracave.

Sipas kësaj shoqate, lirimi nga një tarifë e tillë ka impakt pozitiv në zhvillimin ekonomik të sektorit të gastronomisë në Kosovë.

“Intervenimet me masa mbështetëse të nivelit qendror e po ashtu edhe atij lokal gjatë pandemisë kanë luajt një rol të rëndësishëm në lehtësimin e të bërit biznes në rrethana të jashtëzakonshme të shëndetit publik dhe ekonomik”.

“Ndër to kanë qenë edhe lirimet nga tarifat e shfrytëzimit të hapësirave publike, respektivisht të terasave, në vitin e kaluar një numër shumë i madh i komunave i kanë liruar këto shfrytëzime nga pagesa duke ndikuar pozitivisht në gjendjen ekonomike të gastronomisë”, thuhet në statusin e publikuar në llogarinë zyrtare të kësaj shoqate në Facebook.

Mes tjerash, kjo shoqatë thekson edhe “faktin” se disa prej komunave në Republikën e Kosovës, eliminimin e tarifave për shfrytëzimin e hapësirave publike, e kanë bërë tash e sa kohë.

“Megjithatë, disa komuna tashmë janë dëshmuar si shembull i mirë se si duhet të menaxhohet gjendja e bizneseve, duke vazhduar lirimin e shfrytëzimit të terracave edhe për më shumë kohë, siç është Komuna e Prizrenit, Ferizajit, Podujevës, Suharekës, Lipjanit etj”.

“Edhe ajo e Drenasit e cila së fundi e ka aprovuar kërkesën për lirim nga kjo tarifë edhe për katër (4) vite, duke e proceduar të njëjtën për miratim në Kuvendin e Komunës, ashtu siç parashihet me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, me shpresë që kjo pikë të votohet në Kuvendin”, thuhet tutje në status.

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, thotë ta ketë publikuar këtë letër si formë lutjeje, sepse një vendim i tillë për lirimin nga tarifat në fjalë, sipas tyre, është shumë i nevojshëm si pasojë e gjendjes aktuale të këtij sektori nga dëmtimet e pësuara nga lufta me masat anti COVID-19.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore