Shqipëria

Fushatë për ndryshimin e sistemit zgjedhor, bashkohen partitë “e vogla”


Katër parti të opozitës janë bërë bashkë për nisjen e fushatës për një sistem të ri zgjedhor.

Kreu i Nismës Thurje, Endri Shabani, ka thënë se duke nisur që nga ditët në vazhdim, do të ketë nisma për të mbledhur 50 mijë firma të qytetarëve për të kërkuar referendum për ndryshimin e sistemit.

Sipas tij, duhet të ketë një minimizim të ndarjes rajonale ku të mos ketë më shumë se katër rajone.

Sepse, referuar fjalës së tij, kjo ka qenë ndarja që mundësoi që Partia Socialiste të fitonte shtatë mandate më shumë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.

“Do ikim te marrim formularin për mbledhjen e 50 mijë qytetarëve, dhe deputetët do kërkojnë në parlament referendum për ndryshimin e sistemit. Të minimizohet ndarja rajonale duhen më pak se katër rajone”, ka thënë ai.

Për të, listat të jenë të hapura dhe zgjedhësi të ketë më shumë se një alternativë.

“Kjo do të dobësonte fenomenin e shitblerjes së votës. Duhet të reflektohet në Kod vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të pasur një prag rajonal”, ka vijuar Shabani.

Ai gjithashtu ka shtuar se duhet të ketë një ulje të moshës për qytetarët me të drejtë vote, duke ua dhënë mundësinë edhe 16-vjeçarëve.

Kreu i LZHK, Dashamir Shehi, ka thënë se me këtë ndryshim synohet që t’i jepet fund dominimit të PS-së dhe Partisë Demokratike në skenën politike.

Të dyja partitë, sipas tij, përfituan numër më të madh deputetësh në zgjedhjet parlamentare vetëm si pasojë e ndarjes rajonale që kanë bërë me reformën territoriale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore