Lajme

Funerali i Navalny-t do të mbahet të premten në Moskë


Ceremonia mortore e Alexei Navalny-t do të mbahet të premten në orën 14:00 në Kishën e Ikonës së Nënës së Zotit në Maryeno, në juglindje të Moskës.

Ndërkohë, trupi i tij do të varroset në varrezat Borisovskoe, sipas zëdhënëses së tij Kira Yarmysh.

“Mendova se në 12 ditët që nga vdekja e Alexeit do të kisha pasur kohë për të përgatitur këtë fjalim. Por së pari kaluam një javë duke u përpjekur të merrnim trupin e Alexeit dhe të organizonim funeralin. Pastaj zgjodha varrezat dhe arkivolin. Varrimi do të bëhet pasnesër dhe ende nuk e di nëse do të jetë i qetë apo nëse policia do të arrestojë ata që vijnë për t’i dhënë lamtumirën Alexeit”, ka thënë e veja Julia Navalnaya, në seancën plenare të Parlamentit Evropian.

Vrasja e Alexey Navalny-t është ndoshta rezultati përfundimtar i një sërë pavendosmërish dhe një konflikti serioz të brendshëm në Kremlin midis “teknokratëve”.

Këta të fundit janë përpjekur në mënyra të ndryshme të punojnë në një shkëmbim të disidentit më të famshëm rus dhe një shumice të njerëzve të aparatit, të cilët më në fund e bindën Vladimir Putin-in.

E bindën që të vazhdonte me likuidimin e “pacientit të Berlinit” – siç e quajti ai Navalny-n pa e përmendur emrin e tij, në kohën kur ai po trajtohej në Gjermani nga helmimi i parë në gusht të vitit 2020, me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Angela Merkel.

Putin-i, kur duhet të zgjedhë mes mendimit të Roman Abramovich dhe atij të Nikolai Patrushev (kreut të fuqishëm të të gjitha shërbimeve sekrete ruse), zgjedh gjithmonë këtë të fundit, që për të është KGB-ja.

Dje ekipi i Navalny-t zbuloi një detaj të bujshëm për ditët e fundit të tij: në mëngjesin e 15 shkurtit ata morën konfirmimin se kishte një marrëveshje në parim për të shkëmbyer Navalny-n, plus dy shtetas amerikanë, për Vadim Krasikov, një agjent i FSB-së që po vuan dënimin e përjetshëm në Gjermani për vrasjen në mes të ditës, duke e qëlluar nga afër në parkun Tiergarten, në Berlin – mes familjeve dhe berlinezëve vrapues – një komandant rebel çeçeno-gjeorgjian që kishte luftuar kundër Rusisë në vitin 2000, Zelimkhan Khangoshvili.

Në “intervistën” e famshme me Tucker Carlson, Putin-i kishte shpjeguar tashmë se si e shikonte Krasikov.

“Nuk ka kuptim të mbash në burg një person që, për patriotizëm, vrau një bandit në një nga kryeqytetet evropiane”, ka argumentuar diktatori rus.

Negociatat zgjatën dy vjet, ndoshta do të kishin marrë shumë më pak, por kështu ndodhi, thotë Pevchikh, dhe në mëngjesin e datës 15 ekipi mori konfirmimin e shkëmbimit.

Më 16 shkurt, Navalny vdiq.

I vrarë.

Propozimi për shkëmbimin e Navalny-t iu dorëzua Putin-it nga oligarku Roman Abramovich. Dhe këtu hyjmë në historinë shqetësuese të vrasjes së Navalny-t.

“Putin-it iu tha kjo qartë”, ka shpjeguar Pevchikh. “E vetmja mënyrë për të marrë Krasikov është ta shkëmbeni atë me Navalny-n”.

“Oh, po, Putin-i duhet ta ketë menduar. Nuk do ta toleroj Navalny-n të lirë. Dhe meqenëse ata janë të gatshëm të shkëmbejnë Krasikov në parim, ne thjesht duhet të eliminojmë temën e pazareve”.

Putin-i e gjeti veten në një pozicion të rremë, i cili megjithatë shënoi përfundimisht fatin e Navalny-t.

Nga njëra anë, ai donte shumë të kthehej Krasikov, ua kishte bërë të ditur amerikanëve për muaj të tërë.

Nga ana tjetër, ai absolutisht nuk donte të linte Navalny-n, liderin e opozitës që ia kishte frikën gjithmonë e më shumë, një politikan i gjithanshëm dhe vetëm pak ditë larg zgjedhjeve presidenciale.

Washington-i në parim, shpjegon një burim i inteligjencës perëndimore, po punonte të paktën fillimisht për të rikthyer Evan Gershkovich, gazetarin e Wall Street Journal të arrestuar nga Putin-i me akuza të rreme për spiunazh, dhe ish-marinsin Paul Whelan, gjithashtu në burg në Rusi i akuzuar për spiunazhi.

Por ishte e mundur që të përfshihej në lojë edhe Navalny – edhe pse ai ishte shtetas rus, jo amerikan – sepse ekziston mundësia e shkëmbimeve ndërkombëtare “humanitare”, përfshirë edhe drejt vendeve të treta.

Pikërisht kur negociatat po fillonin, Putin-i vazhdoi të shkatërronte Navalny-n.

Dhjetor 2023, pas muajsh e muajsh vonesa burokratike, plani i shkëmbimeve vihet në zbatim.

Më 6 dhjetor 2023, avokatët nuk lejohen më të shohin Navalny-n, i cili ndodhet në koloninë penale numër 6 në Melikhovo, rajoni Vladimir.

Më 11 dhjetor u njoftuan se ai ishte transferuar. Përtej Rrethit Arktik, te kolonia Ujku Polar. Arkipelagu i Putin-it.

Abbas Gallyamov, ish-shkruesi i fjalimeve të Putin-it në vitet e tij të para në Kremlin, ka shpjeguar se “nuk mund të përjashtohet që Putin-i, duke vendosur për fatin e Navalny-t, i dha dritën jeshile realizimit të njëkohshëm të dy skenarëve”.

Autoritetet nuk kishin një skenar të rastit më të mirë; iu desh të zgjidhnin mes disa skenarëve të pafavorshëm, ndaj kreu i shtetit hezitoi.

Në disa momente ai dëgjonte pjesën e moderuar të aparatit të tij, në disa momente anonte nga këndvështrimi i të tjerëve.

Në fund, “ai e lejoi veten të bindet nga ata që argumentojnë se nuk është e nevojshme të merret parasysh mendimi i Perëndimit në një situatë ku ai është i paaftë për gjithçka, dhe të durohet me veprimet e kundërshtarëve në një situatë ku një numër i madh qytetarësh presin vetëm një arsye për të mos dalë më në rrugë”.

Por tani funerali është afër.

Ato mund të ndodhin më 29 shkurt, pikërisht kur Putin-i i paraqet Asamblesë Federale mesazhin e tij elektoral.

Navalny do ta ndjekë atë edhe në vdekje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore