Lajme

FSK-ja merr pjesë në konferencën e Kartës së Adriatikut në Slloveni


Forca e Sigurisë së Kosovës

Forca e Sigurisë së Kosovës, do të jetë pjesë e konferencës së nënoficerëve Kartës së Adriatikut në Republikën e Sllovenisë.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

“Në kuadër të bashkëpunimit me Republikën e Sllovenisë, rreshter majori i FSK-së, Bedri Zuka po merr pjesë në Konferencën e nënoficerëve të Kartës së Adriatikut ( A5),  të udhëhequr nga Rreshter Majori i ushtrisë sllovene Kovaç”, ka shkruar Mehaj.

Tutje ministri ka sqaruar se kjo ngjarje është duke u realizuar në NATO  Montain  Warfare Center for Exellence, me këtë rast rreshter major Zuka ka prezantuar të arriturat e korit të nënoficerëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, sukseset, sfidat  dhe rekrutimin në ushtrinë e Kosovës.

Po ashtu, ka shtuar se FSK-ja është duke marrë pjesë edhe në kampin e 16-të dimëror në kuadër të bashkëpunimit me Republikën e Sllovenisë.

“Forcën e Sigurisë së Kosovës është duke e përfaqësuar, OR5 Besnik Nebihu i cili në aktivitetet e realizuara nga data 17-24 mars, ka treguar suksese të larta, duke përfaqësuar denjësisht Forcën e Sigurisë së Kosovës”.

Edhe më 9 shkurt, kompania e Deminimit në kuadër të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka njoftuar se do të jetë pjesë e ushtrimit ndërkombëtar “KFOR 30”, që ka filluar të mërkurën në bazën ushtarake amerikane në Gjermani.

“Ushtrimi “KFOR 30” përgatit dhe trajnon trupat për mision në Kosovë, ky ushtrim është vlerësues për trupat para zbarkimit për mision, përkatësisht me fokus kryesor situatën aktuale në territorin e Kosovës”, thuhet në njoftim.

FSK sipas njoftimit do të jetë pjesë e këtij ushtrimi me oficer e nënoficerë, me qëllim të ndër-veprueshmërisë me partnerët duke bashkëvepruar në një ambient shumëkombësh, për të krijuar ambient të sigurt në Kosovë.

Ndryshe FSK javë më parë ishte edhe pjesë e ushtrimeve ushtarake “Allied Spirit 22”, në kuadër të trajnimeve Ushtarake të Forcave Multi-nacionale në Hohenfels të Gjermanisë.

Pjesë e këtij trajnimi e cila ka pasur si cakë trajnimin e liderëve, stafit dhe njësive të ekipeve luftuese krah për krah me partnerët që të mund të operojnë më pas si një grup kudo që është e nevojshme në borë, ka qenë pjesëmarrës ishin 5 mijë e 200 trupa nga 15 shtete.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore