Sport

FSHF jep njoftimin e rëndësishëm për tifozët në prag të ndeshjes me Poloninë


Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka dhënë një njoftim për të gjithë tifozët, të cilët do të jenë të pranishëm për të ndjekur ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës, “Katar 2022”, mes Shqipërisë dhe Polonisë.

“Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron t’i njoftojë të gjithë tifozët shqiptarë, që do të jenë të pranishëm mbrëmjen e sotme në stadiumin kombëtar ‘Air Albania’, për të ndjekur ndeshjen ‘Shqipëri-Poloni’, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror ‘Katar 2022’ mbi orarin e hyrjes së tyre në stadium dhe mbi një pjesë të materialeve që nuk do të lejohen të mbahen me vete në stadium”, thuhet në njoftimin e federatës.

“Hyrja e tifozëve do të fillojë në ora 18:00. Të gjithë personat, të cilët janë të pajisur me biletë, duhet të kenë me vete dokumentin e identifikimit, si dhe nuk do të lejohen fëmijët nën moshën 16 vjeç, që janë të pashoqëruar nga prindërit. Nuk do të lejohen disa sende, si: sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalikë apo lëndë piroteknike etj. Lejohet vetëm flamuri zyrtar shqiptar”.

“Duke ju falënderuar për mbështetjen e pakufishme që i jepni gjithmonë ekipit kombëtar shqiptar, shpresojmë në mirëkuptimin tuaj dhe në mbështetjen tuaj të përhershme”, përfundon njoftimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore