Lajme

Franca i dhuron Kosovës 117 mijë vaksina Pfizer


Ilustrim

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se Franca i ka dhuruar Kosovës 117 mijë vaksina Pfizer kundër COVID-19.

Ajo ka shprehur mirënjohjen për shtetin francez dhe për presidentin Emanuel Macron për solidaritetin e treguar me popullin e Kosovës.

“Franca, dhe njëherë përgjatë këtij rrugëtimi sfidues, u dëshmua si një vend mik e solidar. Në emër të qytetarëve tanë, dua ta falënderoj Presidentin Macron dhe popullin francez për donacionin me 117,000 vaksina Pfizer”, ka shkruar Osmani.

Ajo tutje ka thënë se beteja me COVID-19 ende nuk ka përfunduar dhe se angazhimi i institucioneve të Kosovës për luftimin e pandemisë është fuqizuar në vazhdim përmes përkrahjes së partnerëve dhe aleatëve tanë.

Presidentja ka thënë se donacioni i Francës me vaksinat Pfizer është “Një kontribut i duhur, në një kohë të duhur”.

“Kosova ka arritur një nivel të mirë të vaksinimit dhe qytetarët tanë kanë treguar nivel të lartë të përgjegjësisë kolektive e vetëdijesimit. Por, kemi ende punë përpara”, ka shkruar ajo.

Për ta parandaluar një valë të re infektimit doza e tretë e vaksinës kundër COVID-19 është e domosdoshme ka thënë Osmani, dhe se kjo është “dëshmua në vende të tjera”, andaj ajo iu ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin dozën e tretë.

“Në prag të festave të fundvitit, dhurata më e mirë që mund t’i bëni vetes dhe më të dashurve tuaj është ruajtja e shëndetit tuaj. Andaj, ju lutem, vaksinohuni!”, ka përfunduar Osmani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore