Lajme

Franca dërgon gaz drejt Gjermanisë – për herë të parë – mes krizës energjetike


Për të parën herë, Franca ka dërguar gaz drejt Gjermanisë në “solidaritet evropian” mes presioneve në rritje të energjisë.

Dërgimi i gazit është pjesë e një marrëveshjeje midis vendeve për të lehtësuar mungesat e energjisë pasi Rusia mbylli rubinetat për në Evropë.

Fluksi i ri është më pak se dy për qind e nevojave ditore të Gjermanisë. Por ai është i mirëpritur teksa Berlini lufton për të diversifikuar energjinë.

Që prej nisjes së pushtimit të Ukrainës, Rusia është vënë nën akuza për përdorimin e furnizimeve me gaz si armë kundër Perëndimit.

Fillimisht, operatori francez GRTgaz do të dërgojë 31 gigavat për orë në ditë, nëpërmjet një tubacioni nga fshati kufitar francez i Obergailbach.

Në deklaratën e bërë nga operatori shtohet gjithashtu se kapaciteti maksimal ditor i rrjedhës së re të gazit është 100 gigavat për orë.

Muajin e kaluar, në marrëveshjen e solidaritetit energjetik, Gjermania u zotua të sigurojë energji shtesë për Francën kur të jetë e nevojshme.

Dhe në këmbim, Franca ra dakord të ndihmojë Gjermaninë me furnizimet me gaz.

“Nëse nuk do të kishim solidaritetin evropian dhe një treg të integruar dhe të bashkuar, do të kishim probleme serioze”, ka thënë presidenti francez Emmanuel Macron.

Franca është më pak e prekur nga mbyllja e rubinetave të gazit nga Rusia sepse shumica e nevojave të saj për energji plotësohen nga Norvegjia dhe përmes furnizimeve të gazit natyror të lëngshëm.

Në muajin shkurt, pushtimi rus i Ukrainës çoi në rritje të çmimit të gazit dhe Bashkimi Evropian përballet me tarifa rekord këtë dimër.

Më parë, Gjermania mbështetej te Rusia për 55 për qind të gazit. Ajo e ka ulur këtë përqindje në 35 dhe dëshiron që përfundimisht të zvogëlojë importet në zero.

Po ashtu Gjermania po rrit përdorimin e qymyrit dhe po zgjat jetën e termocentraleve që do të mbylleshin – pavarësisht ndikimit negativ mjedisor.

Këtë dimër, qeveria gjermane shpreson të reduktojë përdorimin e gazit me dy për qind duke kufizuar përdorimin e ndriçimit dhe ngrohjes në ndërtesat publike.

Sakaq, presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se rubinetat e gazit ende mund të hapen drejt Evropës.

“Ne nuk e kufizojmë askënd në asgjë”, ka deklaruar ai, duke shtuar se Moska është e gatshme të furnizojë vëllime shtesë të gazit në periudhën vjeshtë-dimër.

Por pavarësisht fjalëve të tij, një rifillim i furnizimit me gaz në Evropë duket i pamundur.

Nord Stream 1, gazsjellësi më i madh i Rusisë për në Evropë, u mbyll për një kohë të pacaktuar në gusht pasi u gjetën një numër rrjedhjesh në të.

Kurse Nord Stream 2 iu mohua licenca e operimit nga Gjermania për shkak të pushtimit. Edhe në këtë tubacion janë konstatuar rrjedhje.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore