Lajme

Fotografitë bardhezi të Mário Macilau që duan të ndikojnë në shoqëri


Fotografi Mário Macilau, i rrethuar nga imazhet në studion e tij në Maputo, Mozambik, po rregullon kontrastin e një fotografie të fundit që ka kapur.

Imazhi i thjeshtë, por mahnitës, shfaq një djalë të mbuluar nga pluhuri, duke marrë pjesë në një ceremoni tradicionale fetare.

Teksa Macilau hedh dritë mbi njerëzit që jetojnë në hije, po kërkon një ekuilibër delikat mes të zezës dhe të bardhës.

Artisti viziton çdo skaj të vendit të tij duke kapur imazhe të çështjeve sociale dhe mjedisore sepse për të fotografia është “një mjet shumë i rëndësishëm për të sjellë ndikim pozitiv në botë”.

Ka të bëjë me “mënyrën se si njerëzit mendojnë, mënyrën se si njerëzit e shohin njëri-tjetrin, mënyrën se si njerëzit gjykojnë, mënyrën se si njerëzit ngrenë stereotipe për kultura të caktuara”.

38-vjeçari përdor zanatin e tij për të vënë në dyshim çdo aspekt të shoqërisë.

Fokusi i projekteve të tij afatgjata varion nga përshkrimi se si kolonializmi ka ndikuar në arkitekturën e Mozambikut, deri te ruajtja e ceremonive të lashta fetare të vendit dhe realitetet e papërpunuara të grupeve të margjinalizuara.

“Duhet të arkivojmë vlerat shoqërore që kemi. Për brezin e ardhshëm, ata duhet të dinë se nga vijnë, në mënyrë që të dinë se ku po shkojnë”, ka thënë ai.

Arti i Macilau është ekspozuar në mbarë botën, duke përfshirë ekspozita në Lisbonë, Londër dhe New York City.

Ai, kur ishte fëmijë, kaloi disa vite duke jetuar në rrugë në kryeqytetin e Mozambikut, Maputo, ku punoi për të mbështetur financiarisht familjen e tij përpara se të bëhej një fotograf i vlerësuar me çmime.

Fotografi e ka zbuluar pasionin e tij për fotografinë në moshën 14-vjeçare.

“Për mua, fotografia ishte si loja. Ishte ajo që më bënte të lumtur”, ka treguar ai.

Vetëm kur Macilau vendosi të ndërronte celularin e nënës së tij me një aparat fotografik, ai filloi ta ndiqte artin si profesion.

Ka qenë përvoja e jetës së tij në periferi që e ka shtyrë të krijonte një nga seritë e tij më tërheqëse, “Growing up in Darkness”.

Macilau, gjatë disa viteve, dokumentoi kushtet e fëmijëve të rrugës që jetonin në Maputo, një realitet i vështirë me të cilin përballen shumë fëmijë vendas.

Referuar një raporti të UNICEF-it të vitit 2020, 74 për qind e fëmijëve në kombin e Afrikës së Jugut nuk kanë akses të duhur në infrastrukturën bazë, duke përfshirë kanalizimet dhe energjinë elektrike.

“Ideja ime ishte t’u tregoja atyre këndvështrime të ndryshme… si po jetojnë, ku po jetojnë, ku po flenë”, ka thënë Macilau.

Fotografi, para se të realizonte serialin, kaloi kohë duke u njohur me fëmijët. Ai e fitoi besimin e tyre në mënyrë që të mund të bëhej “i padukshëm” dhe të kapte jetën e tyre autentike të përditshme.

“Duhet të ndërtoni besim me njerëzit. Duhet t’u tregoni atyre pse: pse po i fotografoni, pse ky projekt është i rëndësishëm për vetë ju, për krijimtarinë dhe çfarë do të bëni me projektin”, ka thënë ai.

Sipas tij, përdorimi i një kontrasti të fortë mes të zezës dhe të bardhës në fotografi i ndihmon njerëzit “ta kuptojnë më lehtë dhe mos ta harrojnë atë”.

I frymëzuar nga trashëgimia dhe përvojat personale, Macilau ndjen një ndjenjë përgjegjësie për të përdorur fotografinë e tij për të ekspozuar sfidat e shoqërisë dhe për të ndihmuar që bota të bëhet një vend më i mirë.

“Po përpiqem t’u tregoj njerëzve rreth meje se ka një hapësirë për të gjithë”, ka ravijëzuar ai.

Marrë nga “CNN”, përshtatur për “Albanian Post”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore