Lajme

Forumi Shqiptar do jetë pjesë e qeverisë së re në Mal të Zi


Bartesi i Listes se Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj.

Forumi Shqiptar ka vendosur që të mbështesë parimet programore të mandatarit Milojko Spajiç, për formimin e qeverisë së 44-të malazeze, duke pranuar kështu pjesëmarrjen e tij në ekzekutivin e ri malazez, pjesë e së cilës do të jetë edhe koalicioni “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” – të njohur për orientimin e tyre pro ruso-serb.

Ky njoftim i partisë shqiptare në Mal të Zi, vjen pas konsultimeve të vazhdueshme që Kryetari i Lëvizjes Evropa Tani, Milojko Spajiç, si fitues i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, i ka bërë me subjektet politike të tjera në Mal të Zi për të formuar qeverinë e re malazeze.

Milojko Spajiç

“Si subjekti më i madh politik i shqiptarëve në Mal të Zi, Forumi Shqiptar dëshiron të konfirmojë angazhimet programore të të gjitha subjekteve që e përbëjnë atë, në mënyrë që shqiptarët në Mal të Zi të jenë një partner i vërtetë i të gjitha forcave demokratike, properëndimore në Mal të Zi , në rrugën e tij evropiane dhe euroatlantike”, thuhet në njoftimin e bërë nga ky koalicion.

Nga Forumi Shqiptar, bartësi i listës i të cilës është Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, kanë theksuar se marrjen e një vendimi të tillë e lehtësoi, siç thanë ata, “fryma demokratike, properëndimore e vetë parimeve programore të mandatarit Milojko Spajiç-it, veçanërisht atyre që flasin për vendosmërinë për të qëndruar në rrugën e anëtarësimi në BE, së bashku me gatishmërinë për të harmonizuar plotësisht politikën e jashtme të Malit të Zi”.

“Në linjë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë sanksionet kundër Rusisë për agresion kundër Ukrainës, si dhe që Mali i Zi të jetë një anëtar i besueshëm i aleancës së NATO-s dhe të vazhdojë bashkëpunim miqësor me të gjitha vendet fqinje, përfshirë Kosovën”, thuhet aty.

Ne, pohuan ata, “po e bëjmë këtë edhe për shkak të synimit tonë për të kontribuar në përmirësimin e statusit dhe pozitës së shqiptarëve në Mal të Zi duke marrë pjesë në qeveri, në bazë të standardeve demokratike të BE-së në lidhje me të drejtat e pakicave kombëtare”.

Ata thanë se në këtë drejtim do të ofrojnë një dokument konkret, i cili do të mundësojë pjesëmarrjen e barabartë të shqiptarëve në lëvizjet shoqërore bazuar në parimet e veprimit afirmativ, me theks të veçantë në përfaqësimin e tyre proporcional në institucionet shtetërore dhe shërbimet publike të Malit të Zi, si dhe për decentralizimin e pushtetit, që nënkupton më shumë autonomi për pushtetet vendore.

Ata thanë se për të arritur sa më sipër, Forumi Shqiptar është i gatshëm të bashkëpunojë me subjektet me të cilët ka pasur dallime në proceset e mëparshme demokratike, por koha i ka zbutur dhe i ka bërë të kuptojnë domosdoshmërinë e veprimit të përbashkët për të forcuar dhe ushqyer më tej bashkëjetesën në një Mal të Zi demokratik, të pavarur dhe sovran.

“Kjo vërtetohet edhe nga nënshkrimi i të gjitha subjekteve që mbështesin Qeverinë e ardhshme, në marrëveshjen e ofruar, angazhimet programore të të cilave janë në përputhje me synimet programore të Forumit Shqiptar”, përfundon njoftimi.

Në këtë qeveri, përveç Lëvizjes Evropa Tani, si bartëse e koalicionit qeverisës, Forumit Shqiptar, do të jenë edhe demokratët e Aleksa Beçiç-it, si dhe koalicioni “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” – të njohur për orientimin e tyre pro ruso-serb.

Madje, siç është raportuar, marrëveshja parasheh se njëri nga liderët e koalicionit pro ruso-serb, Andrija Mandiç – një kundërshtar i pavarësisë së Kosovës – do të jetë Kryetar i Kuvendit të Malit të Zi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore