Lajme

Forcat speciale amerikane nisin një sulm të madh në veriperëndim të Sirisë


Forcat speciale amerikane kanë kryer një bastisje kundër terrorizmit në Sirinë veriperëndimore të kontrolluar nga opozita, afër kufirit turk. Lajmin e ka bërë të ditur Pentagon-i mëngjesin e 3 shkurtit.

Një zëdhënës tha se misioni ishte i suksesshëm dhe se nuk kishte viktima në SHBA, por nuk dha detaje të tjera.

Shërbimi i shpëtimit të Helmetave të Bardha raportoi se të paktën 13 persona, përfshirë gjashtë fëmijë dhe katër gra, u vranë në qytetin Atmeh.

Zona besohet të jetë shtëpia e xhihadistëve të huaj të lidhur me al-Qaeda-n.

Banorët e Atmeh-it thanë se disa helikopterë u ulën atje rreth mesnatës së të enjtes dhe se dëgjuan të shtëna dhe granatime për dy orë.

Fotografitë e postuara më pas në mediat sociale treguan ndërtesa të shkatërruara.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut – një grup monitorues me bazë në Mbretërinë e Bashkuar – tha se operacioni i SHBA-ve ishte më i madhi në Sirinë veri-perëndimore që kur kreu i Shtetit Islamik (IS) Abu Bakr al-Baghdadi vdiq në një sulm të forcave speciale në tetor të vitit 2019.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore