Lajme

Forcat izraelite vrasin dy palestinezë pranë Ramallah


Forcat izraelite kanë qëlluar për vdekje dy palestinezë gjatë një bastisjeje pranë qytetit të Ramallah në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Dy burrat u vranë ndërsa ishin në një makinë në kampin e refugjatëve Jalazone në veri të Ramallah, sipas mediave lokale.

Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve “Wafa”, i identifikoi ata si 19-vjeçari Bassel Qassem Basbous dhe 21-vjeçari Khaled Fadi Anbar.

Një i tretë, Raafat Habash, 19 vjeç, u plagos nga të shtënat.

Trupat e dy burrave u morën nga ushtria izraelite pasi u vranë, ndërsa i plagosuri u arrestua.

Lajmet për vrasjet erdhën rreth orës 7 të mëngjesit me kohën lokale (04:00 GMT).

Ushtria izraelite tha se njerëzit e saj po përpiqeshin të arrestonin një të dyshuar në Jalazone kur dyshuan se tre burrat po planifikonin të kryenin një sulm me makinë kundër ushtarëve, përpara se të qëlloheshin.

Ky pretendim nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.

Lëvizja Fatah e rajonit Ramallah dhe el-Bireh njoftoi një grevë të përgjithshme në zonat pas vrasjeve.

Izraeli ka kryer bastisje pothuajse ditore në Bregun Perëndimor, të fokusuar kryesisht në qytetet Jenin dhe Nablus, ku janë formuar grupe të reja të armatosura palestineze.

Më shumë se 150 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite në territoret e pushtuara të vitit 1967 që nga fillimi i vitit, duke përfshirë 51 në Rripin e Gazës të bllokuar gjatë sulmit treditor të Izraelit në gusht.

Në një nga bastisjet më të fundit, të enjten në një qytet afër Betlehemit, një djalë shtatë vjeçar vdiq pasi familja e tij tha se ishte ndjekur nga ushtarët izraelitë.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë thirrje për një hetim për vdekjen e Rayyan Suleiman.

20 persona janë vrarë gjithashtu në sulmet e kryera nga palestinezët në Izrael dhe Bregun Perëndimor në vitin 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore