Lajme

Flamuri i Ukrainës vendoset para Qeverisë së Kosovës


Flamujt e Ukrainës të vendosur përkrah Flamurit të Kosovës.

Qeveria e Kosovës për nder të Ditës së Pavarësisë së Ukrainës ka vendosur flamuj pranë atyre të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, për nder të kësaj dite ekzekutivi ka shqyrtuar edhe propozim-vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të qeverisë 03/66 të datës 1 mars 2022, që ka të bëjë me vazhdimin e mbështetjes nga qeveria për qëndrimin e gazetarëve ukrainas në Kosovë.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, konsideroi se është ditë e mirë për të sjellur në qeveri këtë propozim.

Flamujt e Ukrainës të vendosur përkrah Flamurit të Kosovës.

“Propozohet që kufizimi kohor të zgjatet dhe pika 4 të ndryshohet në ‘deri në ndryshimin e rrethanave në Ukrainë’”, tha Gërvalla.

Gërvalla shtoi se kjo nuk përmban kosto shtesë, por vetëm largon kufizimin kohor.

Flamuri i Ukrainës.

Ndryshe, në ditën e shënimit të përvjetorit të 31-të të pavarësisë, Zelensky ka thënë se planifikon të ndajë çmime për ukrainasit që kanë kontribuuar në forcimin e shtetit.

Në vend të paradës, pajisjet ushtarake ruse të shkatërruara janë vënë në rrugën kryesore të Kievit, si përkujtim për tentimet e dështuara të Moskës që të marrë kontrollin e kryeqytetit ukrainas në ditët e para të luftës.

Uashingtoni po ashtu ka paralajmëruar se Rusia mund të përdorë këtë përvjetor për të nisur sulme më të mëdha.

Gjashtë muaj kanë kaluar që prej agresionit të Rusisë në Ukrainë, me fillim në 24 shkurt 2022 dhe me pasoja shkatërruese jo vetëm për dy vendet, por për gjithë kontinentin evropian e më gjerë.

Askush nuk do ta kishte menduar në fillim vitin 2022 se Ukrainën, dita e saj e pavarësisë, më 24 gusht, do ta gjente pjesërisht të pushtuar dhe tërësisht të agresuar.

Por, sot, qytetarët e saj, me më shumë krenari se kurrë, e festojnë shpirtin e tyre të lirë dhe ndjenjën e përkatësisë në një tokë, dheu i të cilës është shkelur thuajse pabesisht.

Një paradë me tanket e ndryshkura ruse, të shkatërruara në këtë periudhë nga Forcat e Ukrainës, u bë edhe simbol e pritjes së ditës së pavarësisë. Është një fitore pa diskutim për Kievin, fakti që ka arritur të qëndrojë në këmbë dhe vullneti të mos i thyhet.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore