Lajme

Fitorja e Macron-it maskon brishtësinë e Francës


Pasi Emmanuel Macron fitoi bindshëm ndaj sfidueses së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, në raundin përfundimtar të zgjedhjeve presidenciale, u dëgjua një psherëtimë lehtësimi nga aleatët evropianë të Francës dhe NATO-ja.

Se është siguruar edhe për pesë vite të tjera statusi i Francës, si një shtyllë kyçe e bashkimit evropian dhe si një kontribuuese e fortë e NATO-s në mbështetjen për Ukrainën.

Kështu pasqyrohet në lavdërimet e Joe Biden, Olaf Scholz dhe Ursula von der Leyen, udhëheqës të SHBA-ve, Gjermanisë dhe Komisionit Evropian, për Macron-in.

Por, në Francë, kjo fitore që mund të duket rrëqethëse në një tjetër vend, maskon realitetin se e djathta ekstreme nacionaliste, euroskeptike dhe anti-emigracion është më e fortë se në çdo kohë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Shoqëria franceze mbetet thellësisht e ndarë.

Edhe vetë Macron-i e pranoi në një fjalim të heshtur të fitores përpara Kullës Eifel.

“Vendi ynë është i rrethuar nga dyshime dhe ndarje”. Kjo ishte fjalia që tha në podium nën melodinë e himnit të BE-së.

Po ashtu tha se dëshironte t’u përgjigjej kërkesave të votuesve të Le Pen, si dhe shqetësimeve të atyre që votuan në raundin e parë për kandidatin e ekstremit të majtë, Jean-Luc Mélenchon.

“Votimi i sotëm kërkon që të marrim parasysh të gjitha vështirësitë e jetës së njerëzve dhe t’u përgjigjemi në mënyrë efektive atyre dhe zemërimit të shprehur”, vijoi ai.

Le Pen, nga ana e vet, e pranoi humbjen. Por mbeti kritike e ashpër ndaj Macron-it.

U zotua të luftonte me partinë e saj për zgjedhjet e qershorit për Asamblenë Kombëtare, të cilat Macron-i duhet t’i kontrollojë nëse do të qeverisë në mënyrë efektive për pesë vitet e ardhshme.

Madje, e përshkroi rezultatin e saj si më të lartin në tre përpjekjet për presidencë që nga viti 2012, si “një fitore mahnitëse” që ishte dëshmi e një dëshire për ndryshim.

Si dhe dëshmi e “kundërshtimit të madh” nga francezët ndaj liderëve kombëtarë dhe evropianë.

Me abstenimin e votuesve të vlerësuar me 28 për qind – më i larti për një raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale në më shumë se 50 vjet – analistët thonë se francezët mbeten të zhgënjyer nga politika dhe mosbesues ndaj udhëheqësve të tyre.

Lëvizjet politike, që siguruan shumicën e presidentëve të Francës në vitet e pasluftës, dolën aq keq në raundin e parë të votimit dy javë më parë, saqë nuk arritën as pragun prej pesë për qind mbi të cilin shteti paguan thuajse gjysmën e kostove të fushatës së një kandidati.

Zgjedhjet, në vend të kësaj, treguan rëndësinë e pohimeve të Macron dhe Le Pen se konfrontimi i vjetër midis të djathtës dhe të majtës nuk ekziston më.

Ai është zëvendësuar nga një përplasje civilizuese midis nacionalistëve dhe populistëve nga njëra anë dhe globalistëve dhe liberalëve nga ana tjetër.

“Është një situatë që dëshmon për brishtësinë e shoqërisë franceze”, shprehet politologu Dominique Reynié.

Ai vë në dukje se, teksa Macron-i kishte fituar në përgjithësi, Le Pen ishte përpara në disa pjesë të vendit, si dhe mes të rinjve dhe klasës punëtore.

Tanimë, skema është vendosur për një raund intensiv negociatash dhe qëndrimesh përpara zgjedhjeve legjislative nga tre rrymat politike që kanë dalë më të forta nga votimi presidencial.

Grupi i përshkruar nga Macron si “qendra ekstreme”, së bashku me të djathtën ekstreme të Le Pen dhe ekstremin e majtë të Mélenchon, i cili doli i treti në raundin e parë dhe gati mundi Le Pen për t’u kualifikuar në balotazh kundër Macron-it.

“Sfida më e madhe e Macron-it do të jetë krijimi i një ndjenje kohezioni në një vend jashtëzakonisht të fragmentuar”, thotë Tara Varma e Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Le Pen do të bëjë çmos për të përfituar nga rezultati i saj për zgjedhjet parlamentare të qershorit.

Dhe ajo nuk është e vetmja.

Macron-i ka avantazhin se suksesi do të lejojë partinë e tij të tërheqë kandidatët e mundshëm të Asamblesë Kombëtare nga radhët e mundura të qendrës së djathtë, të qendrës së majtë dhe të gjelbërve në një lloj aleance të madhe për të fituar në qershor.

Megjithatë, fitorja nuk është e garantuar.

Le Pen mund të jetë në gjendje të sjellë në kampin e saj disa nga ata që votuan për Eric Zemmour, tjetër kandidat i ekstremit të djathtë të fiksuar pas imigracionit.

Ky i fundit ka mbështetje nga të pasurit. Megjithatë, rivaliteti i ashpër midis të dyve mund ta bëjë të vështirë arritjen e një aleance.

Zemmour bëri thirrje për unitet, duke thënë se fitorja nuk mund të arrihet pa “një aleancë të të gjitha grupeve të djathta”.

“Midis punëtorëve dhe borgjezisë patriote, midis të moshuarve dhe të rinjve, midis qosheve të largëta të Francës dhe qyteteve të mëdha, midis të gjithë atyre që duan të jetojnë në një Francë që është franceze”, pohoi ai.

Po ashtu, krerët e së majtës së copëtuar po krijojnë aleanca, me shpresën për të fituar mandate në Asamblenë Kombëtare.

Madje Mélenchon ka deklaruar një ambicie për të qenë kryeministër, post nga ku ai mund të ndalonte Macron-in të shtynte ligje, të cilat e majta nuk i miratoi.

Kurse udhëheqësi komunist Fabien Roussel dëshiron një të majtë të bashkuar për të dominuar asamblenë për t’u marrë me “kërcënimin e rëndë që rëndon mbi demokracinë”.

Macron-i, deri në zgjedhjet legjislative, mund të ketë po aq sfilitje duke u përpjekur të pajtojë francezët me njëri-tjetrin, sa kanë pasur përpjekjet për të negociuar një armëpushim midis Rusisë dhe Ukrainës.

Siç i tha edhe një intervistuesi pas fjalimit të tij të fitores: “Detyra është të ribashkohemi”.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore