Shqipëria

Firmosen marrëveshjet me 12 bashki për zgjerimin e shërbimeve sociale në territor


Financimi për 12 bashki, të cilat do të përfitojnë nga fondi prej 3 miliard lekësh, nëpërmjet Fondit Social, ka marrë miratimin.

Tanimë janë firmosur marrëveshjet e bashkëpunimit mes Shërbimit Social Shtetëror dhe 12 Kryetarëve të Bashkive për monitorimin e shërbimeve që do të financohen këtë vit nëpërmjet Fondit Social.

Bëhet fjalë për një mekanizëm financiar të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Ogerta Manastirliu, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka thënë se nëpërmjet Fondit Social do të zgjerohet mbështetja për ngritjen e shërbimeve sociale në territor për të gjitha kategoritë më në nevojë.

“Ne do të mbështesim 12 bashki dhe dy qarqe për ngritjen e shërbimeve sociale, duke e çuar në 54 numrin e qendrave të përkujdesit social në të gjithë vendin”, ka thënë ajo.

Sipas saj, ky është një hap i rëndësishëm drejt standartizimit të shërbimeve sociale, drejt pikëprerjes së objektivave të strategjisë me shërbimet sociale në territor.

“12 bashki sot do të firmosin një marrëveshje, e cila ka të bëjë me monitorimin e shërbimeve që financohen nga Fondi Social, ku Shërbimi Social Shtetëror do të ketë rol specifik për monitorimin e standardeve të këtyre shërbimeve. Rrjetit tonë në terren do t’i shtohen një armatë e re me punonjës socialë, psikologë, kujdestarë”, ka treguar ajo.

Sipas ministres, deri më tani ka më shumë se 490 punonjës që janë përzgjedhur nga bashkitë, por që do të punësohen më shumë se 100 punonjës të tjerë për ofrimin e shërbimeve sociale qytetarëve më në nevojë.

Ndërkohë, ministrja ka nxitur drejtuesit vendorë të përfshijnë gjithnjë e më shumë shërbimet për shtresat në nevojë në planet e tyre sociale, duke garantuar mbështetjen edhe nga qeveria qendrore.

“Fondi Sociali filloi me 200 milionë lekë në vit mbështetje për bashkitë. Duke analizuar nevojat e bashkive, vendosëm që ky fond të rritej me 30 për qind, duke arritur në një mbështetje për të gjitha bashkitë në 300 milion lekë”, ka thënë Manastirliu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore