Lajme

FBI-ja i kthen Italisë mozaikun e humbur për gati një shekull


Një mozaik, “pjesë kryesore e historisë së Romës”, u gjet dhe iu kthye qeverisë italiane pas disa dekadash i fshehur.

Kështu ka njoftuar Byroja Federale e Hetimeve.

Sipas FBI-së, një avokat kontaktoi në vitin 2020 Ekipin e Krimit Artistik të FBI-së në emër të një klienti anonim, i cili kishte në posedim një “mozaik të madh të figurës mitologjike Medusa”.

Mozaiku ishte prerë në 16 pjesë dhe ishte ruajtur në paleta të mbajtura brenda një njësie magazinimi në Los Angeles që nga vitet 1980.

“Klienti nuk kishte asnjë dokumentacion, kështu që ata nuk mund t’i shisnin pjesët. Shitja e artit pa origjinë është e barabartë me përpjekjen për të shitur një makinë kur nuk e keni pronësinë e saj”, ka thënë FBI-ja.

Paçka se është e paqartë se si klienti anonim e mori në posedim veprën e artit, ose sa kohë kishte qenë në SHBA, FBI-ja ka thënë se “ajo mund të ketë humbur për 100 vjet”.

Ndërkaq, punuan dy agjentë specialë për të zbuluar origjinën e mozaikut në mënyrë që të mund t’u kthehej pronarëve të ligjshëm.

FBI-ja ka treguar se forcat italiane të policisë konfirmuan se mozaiku ishte italian dhe ishte “futur në të dhënat e pasurisë kulturore në vitin 1909”.

“I vetmi rekord modern i ekzistencës së mozaikut ishte një reklamë në gazetë e vitit 1959 që dukej se e tregonte atë për shitje në zonën e Los Angeles-it”, ka shtuar FBI-ja.

Sakaq, zyrtarët italianë udhëtuan për në Los Angeles për të inspektuar mozaikun dhe për të ndihmuar në planifikimin e mënyrës më të mirë për ta kthyer atë në Romë.

Për t’u siguruar që objekti të mbërrinte në Itali pa dëmtime, klienti anonim mbuloi kostot e arkave të specializuara të transportit që dërgoheshin më pas përmes kanaleve diplomatike.

Dhe vepra e artit mbërriti e sigurt në prill, ka konfirmuar FBI.

Aktualisht, ekspertët e artit në Itali janë në procesin e pastrimit dhe restaurimit të mozaikut.

Në SHBA ka një përpjekje të vazhdueshme për të riatdhesuar artefaktet kulturore që shiten, shpesh në mënyrë të paligjshme, te koleksionistët privatë ose muzetë.

Marrë nga “CNN”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore