Aplikacione

Facebook-u financon fondin e gazetave rajonale në Australi


Media sociale, Facebook, do të sigurojë të ardhura për një “fond inovacioni” për 170 gazeta rajonale australiane si pjesë e një marrëveshjeje të planifikuar licencimi, duke e quajtur lëvizjen një shfaqje të bashkëpunimit midis kompanisë së medias sociale dhe botuesit vendas.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se kjo masë sjell një element bazë në një varg marrëveshjesh të njoftuara nga Facebook-u në Australi që kur vendi e bëri me ligj atë dhe Google-i në pronësi të Alphabet-it negocioi pagesa të përmbajtjes në media.

Prej muajit shkurt kur ligji hyri në fuqi, ofruesit dominues të lajmeve si News Corp, Nine Entertainment Co Holdings Ltd dhe Australian Broadcasting Corp, kanë nënshkruar marrëveshje me lojtarët kryesorë të teknologjisë.

Marrëveshja e planifikuar nga Country Press Australia (CPA) dhe kompanisë teknologjike do të sillte financimet e Facebook-ut më pranë “kokave kryesore” si The Bunyip dhe Gympie Today.

Duke përfshirë kornizën kohore, shumën e parave dhe mënyrën se si ato do të ndahen ose shpenzohen, kushtet e marrëveshjes nuk u zbuluan në një deklaratë të përbashkët nga CPA-ja dhe Facebook-u.

Reuters shkruan se deklarata vuri në dukje vetëm që palët kishin nënshkruar një letër qëllimi për të arritur një marrëveshje.

“Kjo mbështetje e financimit do të ndihmojë anëtarët e Country Press Australia të ndërtojnë bizneset e tyre digjitale dhe të arrijnë audienca të reja”, ka thënë udhëheqësi i partneritetit të lajmeve të Facebook-ut për Australinë dhe Zelandën e Re, Andrew Hunter.

Ai ka vijuar se kjo “është pjesë e investimit tonë të vazhdueshëm në gazetarinë australiane dhe bashkëpunimit tonë me industrinë e lajmeve për të ndërtuar modele të qëndrueshme biznesi”.

Andrew Manuel, presidenti i CPA-së, ka bërë me dije se financimi i Facebook-ut do të “ndihmonte në mbështetjen e gazetarisë origjinale me interes publik në morinë e komuniteteve rajonale dhe lokale” ku u botuan gazetat anëtare të grupit.

Të dyja kompanitë, Facebook-u dhe Google-i, para se të miratoheshin ligjet australiane, bënë fushatë kundër tyre duke përfshirë një lëvizje nga Facebook-u për të shkurtuar të gjithë përmbajtjen nga burimet e lajmeve në vend për pak kohë.

Qysh atëherë, firmat amerikane kanë zbuluar marrëveshje të shumta, megjithëse disa botues më të vegjël kanë thënë se ende nuk kanë qenë në gjendje të shkojnë në tryezat e negociatave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore