Shqipëria

Evropianët janë entuziastë për idenë por u mungon konsensusi, thotë Rama


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi nga Praga se ideja e komunitetit politik evropian gjen entuziazëm në Evropë por i mungon konsensusi.

Reagimi i tij erdhi pas përmbylljes së samitit të parë të Komunitetit Politik Evropian, “i pagëzuar” nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe nën “uratën” e kancelarit gjerman Olaf Scholz.

“Kështu e kam nisur sot fjalën në sesionin e hapjes së këtij samiti duke vazhduar se megjithatë udhëheqësit e mbarë Evropës ishin entuziastë për idenë, gjithçka që i mungon për të pasur sukses është konsensusi i të gjithë Evropës”, theksoi kryeministri.

Fillimisht, kreu i qeverisë vërejti se rrënjët intelektuale të këtij projekti gjenden në vizionin e një francezi, jo të Macron-it.

Në shekulin e 18-të, një francez doli me idenë e një bashkimi të shteteve evropiane qëllimi i të cilit ishte të garantonte paqe të përhershme.

Ishte një pikë kthese në historinë e Evropës pas disa vitesh konflikti të përgjakshëm që pati shkaktuar mijëra jeta njerëzore dhe aq pati prerë dhe oreksin e sovranëve për më shumë luftë.

“Dukshëm ai ishte një projekt për integrimin evropian që identifikoi si rrezikun për unitetetin e paqes në Evropë pikërisht mbi egoizmat e vetë shteteve”, shtoi Rama.

Sipas tij, ky është një mësim jo vetëm për modelin ambicioz që propozon, por edhe për mënyrën si ai dështoi.

Gjatë fjalës së tij para samitit, ai ka zbuluar hollësirat e vogla që i kanë mbledhur në Pragë pas më shumë se tre shekujsh.

“Sigurisht në të gjithë rrjedhën e shekujve kemi mësuar që të dështojmë më mirë dhe nga të gjitha përpjekjet e parardhësve tanë evropianë për të krijuar besimin recpiprok. BE-ja mbetet sot e kësaj dite më i suksesshmi, më frymëzuesi dhe më konkreti”, tha më tej Rama.

Mbështetja 

Kryeministri Rama theksoi sërish mbështetjen ndaj Komunitetit të ri Politik Evropian.

“Duhet nënvizuar se, duke lënë frikën mënjanë, unë mbetem një mbështetës dhe ne jemi mbështetës të këtij Komunitetit të ri Politik Evropian”, u shpreh kreu i qeverisë.

Sipas tij, Evropa ndodhet në prag të një lufte të mundshme, siç do të ishte Lufta e Tretë Botërore.

“Sepse Evropa gjendet në prag të një lufte të mundshme të Tretë Botërore. Edhe një herë, Evropa është aty. Edhe një herë, Evropa është në një fazë ku e ardhmja e saj që s’mund të parashikohet, në fakt mund të parashikohet vetëm duke u ndërtuar nga ne”, shtoi ai.

Për kreun e qeverisë, projekti i ri evropian (i nismëtuar nga presidenti francez Emmanuel Macron) është shumë tërheqëse në këto momente.

“Ja pse premtimi, joshja, mundësia e një Komunitetit Politik Europian të ri është kaq tërheqëse”, nënvizoi kryeministri shqiptar.

Kjo, pasi beteja për Evropën nuk mund të jetë ajo që i takon vetëm për një dorë problemesh për t’u zgjidhur, por për një politikë të tërë që është shtysë e një rruge të re bashkëjetese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore