Lajme

Evropa më e fortë me pranimin e Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën Shengen, thotë kryeministri bullgar


Me hyrjen e Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën Shengen, kufijtë e Evropës do të mbrohen më mirë dhe Evropa do të jetë më e fortë.

Të paktën kështu ka thënë kryeministri bullgar Nikolai Denkov.

Komentet e tij i janë drejtuar Parlamentit Evropian teksa i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të luajë një rol më aktiv në skenën ndërkombëtare si ndërmjetës dhe garantues i paqes.

Denkov ka paralajmëruar se Moska po përdor lidhjet ekonomike dhe kulturore për të ndarë Bullgarinë.

Po ashtu ai ka theksuar se anëtarësimi në BE dhe NATO janë garancia më e madhe për të vazhduar rrugën drejt zhvillimit demokratik dhe evropian për vendin e tij.

“Kjo është arsyeja pse ne duhet të përfundojmë integrimin tonë evropian duke iu bashkuar zonës Shengen dhe Eurozonës”, ka shtuar Denkov.

Anëtarësimi i Bullgarisë në Zonën Shengen u bllokua në dhjetor të vitit të kaluar nga Austria dhe Holanda për “shqetësime për migracionin e parregullt”.

Kjo pavarësisht vlerësimeve të Komisionit Evropian se vendi ka plotësuar të gjitha kushtet e nevojshme që ky proces të përfundojë.

Kryeministri bullgar përsëriti se Sofja ka plotësuar të gjitha kërkesat e nevojshme, duke theksuar se çdo shtyrje e mëtejshme është e papranueshme dhe demotivuese për vendin.

Pas fjalimit të tij, shumica e deputetëve të Parlamentit Evropian kërkuan fundin e diskriminimit të qytetarëve bullgarë dhe rumunë.

Gjithashtu kërkuan që Këshilli të votojë për pranimin e këtyre dy vendeve në zonën Shengen para fundit të këtij viti.

Deputeti i Parlamentit Evropian, Vlad Gheorghe, konfirmoi se anëtarësimi i Bullgarisë dhe Rumanisë në Zonën Shengen është përfshirë në agjendën e Këshillit për Drejtësi dhe Punë të Brendshme (JHA) të planifikuar për 5 dhjetor të këtij viti.

Teksa çështja vazhdon të jetë ndër prioritetet kryesore të Presidencës spanjolle të Këshillit të Bashkimit Evropian, ajo vazhdon të kundërshtohet nga Austria dhe Holanda.

Vjena mban qëndrimin e saj kur bëhet fjalë për përfshirjen e të dyja këtyre dy vendeve në zonën e udhëtimit pa pasaporta, ndërsa në rastin e Bullgarisë, pranimi i këtij vendi kundërshtohet edhe nga Holanda.

Muajin e kaluar, kancelari austriak Karl Nehammer, ka thënë se Vjena vazhdon të mbajë veton për anëtarësimin e këtyre dy vendeve.

Komente të ngjashme ka bërë edhe ministri holandez i Emigracionit, Eric van der Burg, në rastin e Bullgarisë.

Sakaq, Komisioni Evropian ka bërë me dije se është i gatshëm të kryejë një mision të ri faktmbledhës në Sofje për të vlerësuar gatishmërinë e vendit për t’u bërë pjesë e BE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore