Kosova

Eventi në të cilin kishte marrë pjesë Kurti në Slloveni u financua nga GEN-I


Foto e Albin Kurtit dhe Martin Berishaj realizuar ne vitin 2018 si pjesmarres ne nje event te IFIMES

Instituti për Studime të Lindjes së Mesme dhe Ballkanit – IFIMES u bë i njohur në Kosovë me publikimin e disa analizave dhe studimeve, sidomos për raundet e fundit zgjedhore kur fitoi Lëvizja Vetëvendosje.

Institutit i vendosur në Lubjanë të Sllovenisë organizon shpesh edhe tryeza të rrumbullakëta ku ftohen personalitete të ndryshme, liderë politikë e profesorë për të diskutuar për zhvillimet politike e sociale.

Pjesë e këtyre tryezave të organizuara nga IFIMES dhe folës ishin edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj dhe gjithashtu kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në disa nga këto tryeza të rrumbullakëta dhe në ato ku kanë marrë pjesë Berishaj e Kurti financues del të ketë qenë kompania sllovene e energjisë elektrike GEN-I. Kurti nuk kishte qenë vetëm në një rast mysafir i IFIMES, por në disa raste. Një nga pjesëmarrjet ai e kishte ndarë edhe në profilin e tij në Facebook. Bashkë me Berishajn kishin shkrepur edhe disa fotografi.

GEN-I është pikërisht kompania e njëjtë e cila ka paguar disa miliona euro Berishajn si konsulent përmes degës së saj në Beograd.

Para për të cilat ka raportime nga mediat sllovene se u ndalën edhe në Kosovë, në financimin e kampanjave elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo.

Siç i kanë treguar Albanian Postit disa gazetarë nga Televizioni Shtetëror të Sllovenisë që po përgatisin një hulumtim rreth lidhjeve të Berishajt me GEN-I’in dhe shpëlarjes eventuale të parave nga kjo kompani sllovene, edhe financimi i këtyre tryezave nga GEN-I është shumë i dyshimtë.

Për t’u përgjigjur rreth ndërlidhjes së këtij instituti me GEN-I’in, drejtori i IFIMES, Zijad Beçiroviç, do të jetë pjesë e panelit në një nga emisionet më të shikuara në televizionin shtetëror slloven.

Ai pritet të zbardhë dyshime të ngritura për lidhjen mes IFIMES dhe GEN-I.

Ky informacion vjen në kohën kur Martin Berishaj po hetohet për disa vepra penale në Kosovë.

Atij i është bërë kallëzim penal nga Agjencia Kundër-Korrupsion për mos-deklarim apo deklarim të rrejshëm të pasurisë si zyrtar shtetëror dhe po hetohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, por gjithashtu ka hetim për të edhe nga Prokuroria Speciale për evazion fiskal dhe shpëlarje parash.

Berishaj është hetuar edhe nga Njësia e Inteligjencës Financiare në Kosovë dhe nga dokumentet që kanë rrjedhur në publik, sipas xhirollogarisë së kompanisë së Berishajt në Kosovë MB Consulting, ai ka pranuar pagesa nga GEN-I në Beograd mbi 1.5 milionë euro. Shumicën prej tyre i ka tërhequr në formë të cash-it, me arsyetimin “për nevoja biznesore”.

Shumë edhe më e madhe parash është pranuar nga Berishaj në kontot e tij në Mal të Zi nga po e njëjta kompani, GEN-I dega në Beograd.

Berishaj vazhdon të qëndrojë si ambasador i Kosovës në Kroaci, meqë ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Kryeministri i Kosovës dhe Presidentja e kanë mbrojtur atë qysh nga dita e parë e plasjes së skandalit.

Martin Berishaj ka dëshmuar rrejshëm nën betim para Komisionit Parlamentar – mund të dënohet deri me 3 vjet burgim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore