Lajme

Martin Berishaj ka dëshmuar rrejshëm nën betim para Komisionit Parlamentar – mund të dënohet deri me 3 vjet burgim


Foto nga Albanian Post, Martin Berishaj

Martin Berishaj ka dëshmuar rrejshëm nën betim para komisionit parlamentar. Ai tha se kompaninë MB Consulting e mbylli në vitin 2020, por dokumentet e publikuara nga xhirollogaria bankare e kompanisë së Berishajt tregojnë se ai pranoi pagesa së paku deri në prill të vitit 2022. Pagesa nga GEN-I Beograd u bënë edhe pasi Berishaj mori postin e ambasadorit. E fundit ishte mbi 50 mijë euro. Kodi Penal i Kosovës, neni 391 “deklarimin e rremë nën betim” e dënon deri me 3 vjet burgim. Në rrethana specifike deri me 5 vjet burgim.

Fiks 5 sekonda priti dhe me një stilolaps që e kishte marrë me vete Martin Berishaj nënshkroi deklaratën se po pranonte që nën betim të thoshte vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër para Komisionit Parlamentar për Energji Elektrike në Parlamentin e Kosovës me 17 nëntor të vitit 2022.

Para se ta nënshkruante, “deklarata nën betim” iu lexua nga kryetari i komisionit Driton Selmanaj.

“I ndërgjegjshëm për rëndësinë e dëshmisë time dhe përgjegjësinë time ligjore solemnisht betohem se do të them të vërtetën, gjithë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën dhe se nuk do të fsheh asgjë për të cilën jam dijeni”, shkruante në deklaratën që e nënshkroi ambasadori i Kosovës në Kroaci.

Meqë ishte thirrur për të dëshmuar rreth punës së tij për kompaninë sllovene të energjisë elektrike GEN-I dhe kishte marrë pagë nga dega e saj në Beograd, një nga pyetjet e para për Berishajn ishte se a vazhdoi të paguhej nga kjo degë edhe në kohën kur veçse kishte filluar punën si ambasador.

Berishaj tha “jo”, por të dhënat nga xhirollogaritë e firmës së tij MB Consulting në Kosovë dhe Mal të Zi thonë se “po”. Madje edhe shumë kohë pasi ishte bërë ambasador.

Shqiptari nga Mali i Zi mori postin e ambasadorit me 10 shtator 2021, por në një nga pagesat që i është bërë Berishajt nga GEN-I Beograd shënon data 7 prill 2022.

Pagesa per Berishen me 7 prill 2022

Pra së paku edhe gjashtë muaj të tjerë Berishaj ndante energjinë e tij mes lobimit për Kosovën dhe konsulencës për GEN-I’in, derisa paguhej nga të dy anët.

Siç edhe shihet, pagesa si konsulent i GEN-I’it ishte krejtësisht jo proporcionale me atë të Kosovës.

Berishaj me 7 prill nga GEN-I u pagua 35 mijë e 106 euro, tregojnë të dhënat e nxjerra nga Njësia e Inteligjencës Financiare të Kosovës që po heton Berishajn.

Berishaj, që në dëshmi thotë se jo vetëm që nuk kishte pranuar të holla pasi u bë ambasador, porse kompaninë e kishte mbyllur shumë më herët dhe se “nuk funksionon nga viti 2020”, e dinte se deklarimi i rrejshëm nën betim përbënte shkelje ligjore.

Atë ia pati përsëritur edhe Selmanaj si udhëheqës i grupit parlamentar, para se t’ia lexonte formën e betimit solmen.

“Ju jeni i detyruar të tregoni të vërtetën, nëse nuk e tregoni të vërtetën mund të ndiqeni me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, lexoj Selmanaj.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, Neni 391 “kushdo që pasi të ketë dhënë betimin pranë organit kompetent për të administruar dëshmitë e dhëna nën betim ose betimet dhe pastaj nënshkruan dëshminë nën betim ose deklaron diç që nuk beson se është e vërtetë ose me dijeni fsheh ose shmang nga deklarimi ndonjë çështje relevante për procedurën, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet”.

Sipas të njëjtit kod dënimi mund të shkojë edhe deri në 5 vjet burgim nëse “deklarata nga paragrafi 1. i këtij neni është dhënë gjatë procedurës penale”.

Nga shifrat e nxjerra në xhirollogari në bankat e Kosovës dhe Malit të Zi deri më tani kuptohet se shuma totale e përfitimeve të Berishajt nga GEN-I Beograd është mbi 4 milionë eurove.

Këto para janë arkëtuar nga viti 2015 deri në vitin 2022.

Për paratë që Berishaj deponojë në Kosovë, Administrata tatimore e Kosovës ka treguar se ai i është shmangur detyrimeve ndaj shtetit në vlerë rreth 70 mijë euro.

Kompania MB Consulting e regjistruar në Mal të Zi, por me një degë edhe në Prishtinë, sipas xhirollogarive, vetëm në Kosovë ka marrë si pagë nga GEN-I  “1 milionë e 531 mijë e 480 euro”.

Këto para – shumica prej tyre – kanë vazhduar të tërhiqen deri në vitin 2022 nga Martin Berishaj në formë të keshit nën arsyetimin “për nevoja biznesore”.

Pagesat per Berishajn nga GEN-I Beograd

Nga xhirollogaritë në Malin e Zi – edhe këto bërë të ditura nga mediat – Berishaj kishte fituar nga GEN-I mbi 3 milionë euro.

Për aktivitetin e tij të dyshimit, Berishaj po hetohet në Kosovë nga Prokuroria Themelore për mos-deklarim të pasurisë dhe nga Prokuroria Speciale për evazion fiskal dhe shpëlarje parash.

Deri më tani, Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, i janë vënë në mbrojtje Berishajt dhe thonë se s’kanë arsye ta shkarkojnë.

Informacionet e fundit nga mediat sllovene thonë se Berishaj me një pjesë të këtyre milionave që i mori nga GEN-I në Beograd i ka financuar fushatat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo. Albanian Post këto informacione për financim fushatash akoma nuk i ka vërtetuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore