Lajme

Escobar mbështet Ballkanin e Hapur “dhe çdo nismë tjetër rajonale”


Gabriel Escobar

Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit dhe Përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar se mbështet të gjitha iniciativat për integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe mes tjerave edhe atë të Ballkanit të Hapur.

Ai ka folur të enjten për situatën në rajon gjatë një diskutimi online të organizuar nga Këshilli Atlantik.

Derisa kur ka komentuar Serbinë, deklaroi që “Serbia duhet të respektojë kufirin ndërkombëtar me Republikën Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë si dhe me Kosovën”.

Në fjalimin e tij, Escobar pohoi se në Bosnje, por edhe në Ballkan në përgjithësi janë problem kryesor ndarjet etnike dhe nacionalizimi, por edhe korrupsioni brenda këtyre vendeve.

Madje, pohoi se mendimi i tij është që “etnonacionalizmi është vetëm një ‘maskë’ për korrupsionin”.

“Partitë nacionaliste janë më të këqijat në këtë drejtim”, shtoi Escobar.

Në të njëjtin bashkëbisedim të organizuar nga Këshilli Atlantik – institut amerikan me seli në Uashington – Escobar duke komentuar deklaratat e krerëve institucionalë në Kosovë për “njëanshmërinë e Perëndimit karshi dialogut Kosovë-Serbi”, theksoi se ShBA-të nuk do ta braktisin popullin e Kosovës, pavarësisht individëve dhe partive politike.

“Shpresoj që është e përkohshme, miqtë tanë në Prishtinë na thonë se s’ka vend më pro-amerikan se Kosova – Nuk ka asnjë vend me pro-Kosovës sesa ShBA-të”.

“Përkushtimi ynë nuk shkon përmes një personi, një partie. Është një partneritet me popullin e atij vendi dhe ne nuk do t’i braktisim ata”, shtoi ai.

“Asociacioni duhet të zbatohet dhe do të zbatohet”

Ai ka folur edhe për sfidat e fundit në rajon, me theks të veçantë kërkesën për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Është një dispozitë ligjërisht e detyrueshme. Është ligjërisht e detyrueshme për Serbinë, për Kosovën dhe për BE-në – dhe pikërisht për shkak se ne e mbështesim dialogun, është edhe detyrimi ynë. Pra, po, duhet të zbatohet dhe do të zbatohet” ka thënë Escobar.

Diplomati amerikan ka komentuar edhe për marrëveshjen e nënshkruar për de-eskalim të situatës mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Unë e konsideroj të rëndësishme uljen e tensioneve, marrëveshjen e arritur nga Serbia dhe Kosova për targat javën e kaluar”.

“Qëndrimi ynë ka qenë gjithmonë që në vend që të punojmë për çështje individuale që krijojnë tensione, të gjitha këto çështje duhet të jenë pjesë e dialogut të sponsorizuar nga BE-ja”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore