Lajme

Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kina bëjnë thirrje për një takim të OKB-së për vizitën e Ben-Gvir në Al-Aksa


Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kina kanë bërë thirrje për një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së pasi ministri i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë të Izraelit Itamar Ben-Gvir hyri në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në një lëvizje të denoncuar gjerësisht.

Këshilli pritet të mblidhet të enjten, i thanë diplomatët agjencisë së lajmeve “Reuters” vonë të martën.

Veprimet e Ben-Gvir tërhoqën dënime të ashpra në mbarë botën, me Egjiptin, Jordaninë, Arabinë Saudite, Turqinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe që iu bashkuan palestinezëve për ta dënuar atë. Udhëheqja palestineze e quajti ndërhyrjen “një provokim të paprecedentë”.

Ministria e Jashtme palestineze tha se “dënon me forcë sulmin ndaj xhamisë Al-Aksa nga ministri ekstremist Ben-Gvir dhe e sheh atë si një provokim të paprecedentë dhe një përshkallëzim të rrezikshëm të konfliktit”.

Ndërkohë, kryeministri palestinez Mohammad Shtayyeh akuzoi Ben-Gvir për organizimin e udhëtimit si pjesë e një përpjekjeje për ta kthyer faltoren “në një tempull hebre”, një synim i shumë njerëzve brenda së djathtës ekstreme të Izraelit.

Hamasi, grupi që qeveris Rripin e rrethuar të Gaza-s, paralajmëroi se lëvizja e Ben-Gvir përbën kalimin e një “vijë të kuqe”. Ushtria izraelite tha se një raketë ishte hedhur nga Gaza të martën mbrëma, por se ajo kishte rënë në territorin palestinez.

Kryeministri Benjamin Netanyahu lëshoi një deklaratë vonë të martën duke pretenduar se ai ishte “i përkushtuar për të ruajtur rreptësisht status quo-në, pa ndryshime, në Malin e Tempullit, kompleksi i Xhamisë Al-Aksa”.

Të martën, media izraelite raportoi se vizita e planifikuar e Netanyahut në Emiratet e Bashkuara Arabe javën e ardhshme është shtyrë për në shkurt, megjithëse burime pranë liderit izraelit mohuan se ajo kishte ndonjë lidhje me incidentin e Al-Aksa.

Udhëheqësi i opozitës izraelite dhe ish-kryeministri Yair Lapid kishte paralajmëruar të hënën se hyrja e planifikuar e Ben-Gvir në kompleks do të çonte në dhunë dhe e quajti atë një “provokim të qëllimshëm që do të vërë jetën në rrezik”.

Ndërkohë, SHBA, aleati më i ngushtë i Izraelit, shprehu shqetësim të thellë për zhvillimet.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga çdo veprim i njëanshëm që ka potencial për të përkeqësuar tensionet pikërisht sepse duam të shohim të kundërtën të ndodhë”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

“Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me vendosmëri për ruajtjen e status quo-së historike në lidhje me vendet e shenjta në Jerusalem”.

Ai shtoi se çdo veprim i njëanshëm që cenon status quo-në ishte “i papranueshëm”.

Kompleksi i Xhamisë Al-Aksa, i njohur si Mali i Tempullit për hebrenjtë, është i shenjtë si për myslimanët ashtu edhe për hebrenjtë.

Megjithatë, hebrenjtë kanë besuar tradicionalisht se vendi është shumë i shenjtë për t’u shkelur. Të martën, kryerabini Sefardi i Izraelit, Yitzhak Yosef, kritikoi Ben-Gvir për hyrjen në Al-Aksa.

Kompleksi (i njohur gjithashtu si al-Haram al-Sharif për myslimanët) është një shesh i gjerë me mure në zemër të qytetit të vjetër në Jerusalemin Lindor të pushtuar që përfshin Xhaminë Al-Aksa dhe Kupolën e Shkëmbit. Kompleksi është menaxhuar vazhdimisht nga muslimanët, nën një vakëf (dhurim fetar), për qindra vjet.

Vakëfi i financuar nga Jordania ka vazhduar të administrojë vendin që nga viti 1967, ndërsa Izraeli ka kontrollin e sigurisë. Sipas një marrëveshjeje të gjatë, status quo-ja e vendit lejon vetëm lutjet myslimane dhe vizitat nga jomyslimanët lejohen vetëm në kohë të caktuara.

Izraeli pushtoi Jerusalemin Lindor, ku ndodhet Aal-Aksa, gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967. Ajo aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980 në një lëvizje që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore