Sport

Elseid Hysaj, shkëlqimi që lindi nga sakrifica


Mes shkëlqimit dhe rënies, Hysaj së bashku me Strakoshën, mbeten lojtarët më të mirë në Kombëtaren tonë dhe që premtojnë shumë për të realizuar një ëndërr të shqiptarëve, atë të pjesëmarrjes në një Kupe Bote.

Padyshim Elseid Hysaj, mbrojtësi i kombëtares tonë dhe i Napolit në Itali është një nga figurat me historinë më interesante për vështirësite që ka kaluar për të arritur në majat e futbollit evropian.

Ai u lind me 20 shkurt 1994, ne Shkodër, qytet në të cilin kaloi fëmijërinë me të ëmën dhe gjyshërit, pasi i ati emigroi për në Itali. Ndërkohë që Hysaj rritej, filloi të aktivizohej me ekipet e moshave në Shkodër dhe dukej sikur një tjetër talent ishte shtuar në futbollin e qytetit.

Kohën kur Hysaj ishte 10-vjeç, i ati i tij, Gëzimi, punonte në Itali në shtëpinë e  Marco Piccioli-t, një agjent futbollistësh dhe i foli për djalin që kishte në Shqipëri. Asokohe problem mbetej mosha e Hysajt që ishte 10 vjeç dhe duhej patjetër të ishte 14 vjeç në mënyrë që të shkonte për provë në ekipet italiane për moshën e tij.

Me të mbushur 14 vjeç, Hysaj merr rrugëtimin për në Italinë fqinje. Pas provës në disa ekipe, përfshirë edhe skuadrën e Fiorentinës, Hysaj do të shkonte tek Empoli, ekip me të cilin do të bënte edhe hapin e madh në karrierë.

Debutimi si profesionist erdhi në ndeshjen e Kupës se Italise, Fiorentina-Empoli (2-1), ne 24 nëntor 2011. Ndërsa, në Serie B, Hysaj debutoi me 20 tetor 2012, në minutën e 67-të të ndeshjes kundër Virtus Lanciano-s, ku Empoli fitoi me rezultatin 3-0.

Me kalimin e kohes, Hysaj, gjente më shume hapësira në formacion, duke qenë se edhe trajneri Maurizio Sarri, e kishte si lojtar të preferuar. Me Empolin, Hysaj, pati 115 prezenca në gjithë kompeticionet, duke shënuar një gol dhe duke dhënë dy assist.

Me kalimin e trajnerit, Sarri, në krye të ekipit të Napolit, në 2 gusht 2015, Hysaj kalon tek Napoli, një operacion që  kushtoi rreth 4.5 milion euro, ndërsa aktualisht kartoni i tij kushton 14 milion euro (maksimumi i vlerës ka arritur deri ne 20 milion euro sipas Trandfermarket). Me Napolin, në të gjitha kompeticionet ai numeron 201 prezenca në fushë, ka realizuar një gol dhe ka dhuruar tetë assist.

Aktualisht, Hysaj merr një page vjetore rreth 2.6 milion euro dhe ka një kontratë që skadon në 30 qeshor 2021. Ku rinovimi me Napolin nuk po shkon siç duhet dhe largimi mbetet opsion i mundshëm, së fundmi, interes për të ka shfaqur ekipi i Romës.

Ndërsa me kombëtaren tonë shqiptare, Hysaj e ka nisur që me grupmoshat. Ai ka debutuar që 16 vjeç me Shqiperine U17 dhe pati tre prezenca. Në  moshën 19-vjeçare ai debutoj me Shqiperine U21, ku pati kater prezenca. Debutimi me kombëtaren e madhe erdhi po në moshën 19 vjeçare. Në total, Hysaj ka arritur  55 prezenca me kombëtaren shqiptare, ku ka realizuar një gol dhe dhuruar gjashtë asist. Aktualisht Hysaj mban dhe shiritin e kapitenit në kombëtaren Shqiptare.

Mes shkëlqimit dhe rënies, Hysaj së bashku me Strakoshën, mbeten lojtarët më të mirë në Kombëtaren tonë dhe që premtojnë shumë për të realizuar një ëndërr të shqiptarëve, atë të pjesëmarrjes në një Kupe Bote.

Ky ishte profili, i një lojtari që u largua i vogël nga familja, qyteti dhe vendi i tij, për të ndryshuar ambient në një tjetër shtet, një tjetër gjuhë dhe kulturë, por që më së miri ia doli dhe padiskutim është një nga lojtarët më të mire që ka patur futbolli ynë ndër vite dhe pse jo, edhe krenaria jonë në futbollin evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore